Vrasja në pritë, policia e Vlorës prangos autorin

Policia e Vlorës ka arrestuar autorin e dyshuar te vrasjes se 62-vjeçarit në Selenice. Sipas te dhenave te policise, pas hetimeve, behet e ditur se ne pranga ka rene 36-vjeçari Fatmir Petraj nga Selenica.

Policia ka sqaruar se ky shtetas akuzohet se dje rreth orës 18.30 në vendin e quajtur “Bishti i Malit” në bashkinë Selenicë në bashkëpunim me disa persona të tjerë të cilët janë shpallur në kërkim kanë vrarë për motive hakmarrjeje 62-vjeçarin Baftjar Llanaj.

Materialet në ngarkim të autorit i kanë kaluar prokurorisë për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në kushtet e bashkëpunimit dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme në rrugën që lidh qytezën e Selenicës me Vlorën, në vendin e quajtur “Bishti i Malit”. Sipas burimeve të Policisë së Vlorës, 62-vjeçarit Llanaj i është zënë pritë duke u qëlluar me breshëri automatiku nga të paktën dy persona. Autorët kanë qenë në buzë të rrugës, duke ditur lëvizjet e Llanajt, i cili shkonte shpesh në Selenicë, (vendi i lindjes), ku kishte pronat e veta dhe ullishte. Sapo makina “Benz” me targa VL 6368 C e Llanajt është afruar, autorët kanë nisur të qëllojnë drejt saj me automatik. Për shkak të inercisë, makina ka lëvizur për 10 metra, duke përfunduar më pas në një kanal buzë rruge. Autorët i janë afruar duke vazhduar ta qëllojnë me armë zjarri, çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme 62-vjeçarit.

Nga breshëria e pakontrolluar e personave me qëllim eliminimin e Llanajt, ka mbetur i plagosur rëndë edhe shtetasi Sako Xhaferri, 45 vjeç nga Selenica, i cili më pas është shoqëruar në Spitalin e Vlorës, ku ndodhej në gjendje të rëndë. Nga kontrolli i policisë ushtruar ndaj Xhaferrit, atij i është gjetur një kokore si dhe një palë doreza.

Po ashtu, sipas Policisë së Vlorës e cila ka bërë dhe këqyrjen e vendngjarjes, janë gjetur dhjetëra gëzhoja të automatiku me të cilin është vrarë Llanaj.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se krimi mund të jetë kryer për shkak të hakmarrjes, pasi 6 vite më parë, Llanaj ka plagosur rëndë pas një sherri babanë dhe vëllanë e Xhaferrit. Si pasojë e dhunës, më vonë babai i autorit të djeshëm ka vdekur, ndërsa vëllai i tij ka humbur njërin sy. Nisur nga ky precedent policia dyshon se bëhet fjalë për një hakmarrje ndaj Baftjar Llanajt.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment