Vrasja e Emmy-t, Kelmendi nuk paraqitet në gjykatë

Gjykata e Tiranës nuk e zhvilloi dje seancën e radhës së procesit gjyqësor në ngarkim të Aziz Kelmendit, biznesmenit të akuzuar për “vrasje nga pakujdesia” të këngëtares Elsina Hidersha, të njohur edhe si Emmy.Në seancën ku pritej të dëgjoheshin konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës, vetë i pandehuri Kelmendi nuk ishte i pranishëm. Ishte mungesa e tij që detyroi gjykatën të shtynte seancën në një datë te re. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Arben Micko, ndërpreu zhvillimin e saj, pasi nuk dihej vullneti i të pandehurit Kelmendi, për shkak të mungesës së tij. Sipas ligjit dhe procedurave, në momentin kur nuk është i pranishëm, i pandehuri për një vepër penale duhet të ketë pajisur avokatin e tij me një deklaratë ku të shprehet nëse dëshiron që gjyqi të vazhdojë në mungesë të tij apo të ndërpritet për t’u zhvilluar në prani të tij. “Seanca u shty për t’u njoftuar vetë i pandehuri Azis Kelmendi, pasi nuk ka shprehur në seancat e kaluara që të vazhdohet në mungesë të tij, duke u përfaqësuar nga avokatet e zgjedhur prej tij”, thuhej në vendimin e ndërmjetëm që shtyu seancën. Në seancën e kaluar, gjykata pranoi kërkesën e Kelmendit për gjykim me kohë të shkurtuar, në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Dje nuk ishte e qartë nëse Kelmendi ishte paraqitur në gjykatë dhe nuk ka preferuar të hynte në sallën e gjyqit apo ka qëndruar në paraburgim, pasi gjykata nuk kishte njoftim paraprak për mospjesëmarrje të tij. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse deklarohet “i fajshëm” nga gjykata për akuzën e ngritur ndaj tij, Kelmendi përfiton uljen e një të tretës së masës së dënimit. Në të njëjtën seancë, Kelmendi i kërkoi falje familjes së këngëtares Elsina Hidersha, duke pohuar se ngjarja kishte qenë aksidentale. “Nuk ishte vrasje. Ishte fatkeqësi. Ka qenë një aksident. I kërkoj falje familjes dhe farefisit. I kërkoj mëshirë gjykatës”, u shpreh i pandehuri Kelmendi në atë seancë. Ngjarja për të cilën akuzohet Aziz Kelmendi u shënua në orët e para të datës 27 shkurt të këtij viti, përpara derës së PUB “Venue” në Tiranë. Këngëtarja Hidersha u plagos rëndë nga përplasja me tokën, pasi ishte kapur nga jashtë në xhamin e automjetit të drejtuar nga Kelmendi. Për shkak të dëmtimeve të rënda në pjesën e kokës, ajo ndërroi jetë pak orë më pas në spital.

Në gjyq për vjedhje, u arratis nga Burgu 313

TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për Ajet Markajn, i njëjti që në dhjetor të vitit 2010 u arratis në mënyrë spektakolare nga Paraburgimi 313, duke kapërcyer murin rrethues. Dosja në ngarkim të 20-vjeçarit Markaj është depozituar për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Ajo mban numrin 1679 dhe toga e zezë e përzgjedhur për shqyrtimin e saj është gjyqtari Gerd Hoxha. Mbi Markajn rëndojnë akuzat e “vjedhjes me armë në bashkëpunim”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të municionit” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Për shkak se ai ende nuk është arrestuar, duket se gjykimi i tij në Gjykatën e Tiranës do të zhvillohet në mungese. Ajet Markaj u arrestua në shtator të viti të kaluar, pak minuta pasi dështoi në vjedhjen e një banke të nivelit të dytë pranë Qendrës së Tiranës, në Bulevardin Zogu I. Sipas hetimeve, ai është futur në banke me një automatik, me të cilin ka qëlluar dy herë. Në vijim ai është përleshur me një nga rojet e sigurisë. Me pas, 20-vjeçari është larguar, por është bllokuar dhe me pas arrestuar pak metra larg bankës përpara maternitetit “Nëna Geraldinë”. Por Markaj ndenji vetëm pak muaj në paraburgim. Paraditen e 2 dhjetorit 2010, duke shfrytëzuar një pjesë jo shumë të lartë të murit rrethues të Paraburgimit 313 në Tiranë, ai mundi të arratisej. Markaj nuk iu tremb as të shtënave në ajër nga policët e vendrojës, por, duke u hedhur në tarracën e një godine në ndërtim pranë murit, mundi të largohej në drejtim të paditur. 
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment