Varrezë masive në Mitrovicë, nëntë mbetje mortore

Në kuadër të hulumtimeve të varrezave masive, në varrezat myslimane, që ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës, gjatë fundjavës, janë gjetur nëntë mbetje mortore. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesit e Shoqatës së familjarëve të të pagjeturve “Zëri i prindërve”, si dhe Zyra për persona të pagjetur në Qeverinë e Kosovës.

Drejtuesit e Shoqatës së familjarëve të të pagjeturve “Zëri i prindërve” pohojnë se ka kohë që ata kanë insistuar që të bëhet hulumtimi në atë lokacion, pasi që është dyshuar për varrezë masive të personave të kidnapuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Në varrezat e myslimanëve janë varrosur trupat të personave të arrestuar e kidnapuar në luftë nga forcat paramilitare e ushtarake serbe, ndërsa këto dyshime u konfirmuan me faktin se atje u zhvarrosen tetë trupa të pajetë”, ka thënë për KosovaLive Bajram Çerkini, drejtues i shoqatës “Zëri i prindërve”, transmeton Koha.

Me këtë rast ai edhe njëherë ka akuzuar ekspertët e Mjekësisë Ligjore të cilët në vazhdimësi po e anashkalojnë shoqatën në fjalë, duke mos e njoftuar fare për fillimin e hulumtimit të vendit të dyshimtë, ndonëse informatat e para rreth dyshimeve i kanë marrë nga ta.

Ndërkohë, lajmi është konfirmuar edhe nga EULEX-i. Alan Robinson, bashkë-kryesues i DML deklaroi që është i kënaqur me rezultatet e deritanishme nga ky operacion. “Ne akoma po hulumtojnë për mbetjet mortore të së paku edhe dy personave të tjerë në këtë vend. Puna do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim”, pohoi Robinson.

Zhvarrosja në Mitrovicë është rezultat i analizave intensive të dokumenteve, hetimeve dhe disa vizitave të kryera më herët nëpër lokacione. “Ekipi im ka punuar në këtë rast për muaj të tërë. Ky është një shembull tipik i qasjes së plotë dhe të detajuar e cila është e nevojshme kur kërkohen personat e pagjetur. Kjo gjë merr kohë”, deklaroi Robinson.

Në Komunën e Mitrovicës numri i të pagjeturve mbetet ende mbi 100 sish, derisa shumica e lokacioneve të dyshuara për varreza masive ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Kosovës. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment