Van Persie kritikon anglezët

Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie ka kritikuar disa prej futbollistëve anglezë, që ndjekin klubet e natës deri në orët e hershme të mëngjesit. Ai beson se ata janë duke shkatërruar karrierat e tyre. Holandezi preferon të kalojë kohën e lirë në shtëpi me familje dhe të zgjohet për të ngrënë mëngjes me fëmijët e tij.

Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie beson se futbollistët anglezë janë duke shkatërruar karrierat e tyre, duke ndjekur klubet e natës.

Van Persie, i cili e përfundoi sezonin e kaluar si golashënuesi më i mirë i Arsenalit me 22 gola në të gjitha garat, theksoi se është i befasuar nga sjellja e disa prej futbollistëve më të mirë në Angli.

“Kur shoh disa futbollistë anglezë, të cilët qëndrojnë jashtë deri në tre të mëngjesit, atëherë jam i bindur se ata do të marrin fund në moshën 33 vjeç”, tha Van Persie për tabloidin anglez The Sun.

Reprezentuesi holandez më pas bëri të ditur se kalimi i kohës me familjen e tij ka rëndësi të madhe për të, më tepër se ndeja në klubet e natës deri në orët e hershme të mëngjesit.

“Për mua është më e rëndësishme të ha mëngjes me dy fëmijët e mi. Dhe kjo nuk do të kishte qenë e mundshme nëse do të shkoja në diskoteka gjithë natën”, shtoi ai.

Van Persie theksoi se ndjekja e klubeve të natës – që është bërë stil i jetës së shumë futbollistëve të sotëm – mund të paraqesë pengesa të mëdha, që mund të rrezikojnë edhe karrierat e tyre.

“Futbollistët e mëdhenj nuk mashtrohen nga pasuria ose fama sepse janë gjithmonë të përqendruar në lojën e tyre. Unë kam marrë vendim rreth asaj se çka dua të bëj dhe që dua më së tepërmi e ajo është të luaj futboll”, u shpreh ai.

Duke kthyer vëmendjen te skuadra e tij dhe kandidatura e saj për titull, Van Persie u duk pesimist pasi Arsenali edhe njëherë dështoi të rivalizojë seriozisht Manchester Unitedin në sezonin e kaluar në Premierligë, edhe pse ishte në pozitë të mirë në fazën përfundimtare të sezonit.

“Çdo vit diçka shkon keq në mënyrë identike dhe kjo është shqetësuese. Kur shikoni rezultatet e viteve të kaluara, atëherë Arsenali nuk duhet të flet për fitimin e ligës sepse shumë herë gjërat kanë shkuar në mënyrë të gabuar. Nganjëherë duhet të konsumoni të vërtetën dhe të jeni realist. Por, besoj se me angazhimin e disa përforcimeve, sezonin e ardhshëm mund të luftojmë për tituj të rëndësishëm”, përfundoi ai.

Van Persie është njëri prej futbollistëve senior në Emirates Stadium, i cili ka shënuar 95 gola në 230 paraqitje pas transferimit në Arsenal në verën e vitit 2004 nga Feyenoordi.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment