Universitetet, kuotat për çdo degë

Zbardhen kuotat e pranimit për vitin akademik 2011-2012 në të gjitha universitetet e vendit. Gazeta publikon të plotë numrin e tyre për secilën degë. Në total, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, do të pranohen 23 843 studentë.Nga trojet do të kenë mundësi të ulen në auditorët e shkollave tona 700 studentë. Në universitetin më të madh në vend, atë të Tiranës, numri i pranimeve thuajse ka mbetur i njëjtë me vitin e kaluar. Vihet re një numër më i lartë pranimesh në Universitetin Politeknik, në pjesën më të madhe të degëve të së cilit janë shtuar nga 10-40 kuota. Ndonëse dy ditë më parë kreu i qeverisë deklaroi se do të pranohen 1600 studentë të rinj, pjesa më e madhe e këtyre kuotave shtesë janë të shpërndara në rrethe. Krahasuar me vitin 2010, ku kuotat u rritën me 11 %, këtë vit kemi një shtesë vetëm me 9 %. Sa i përket tarifave të shkollimit, ato kanë pësuar një rritje, e cila varion nga 900-1200 lekë. Kjo shtesë është argumentuar nga Kryeministri si domosdoshmëri, për shkak të inflacionit. Për t’u pranuar në shkollat e larta këtë vit pritet të konkurrojnë rreth 40 mijë maturantë. Por vetëm pak më shumë se gjysma e tyre do të mund të nisin një shkollë të lartë publike. Sa i përket shpërndarjes së kuotave, rreth 1/3-tat e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore. Vetëm në teknologjinë e informacionit, në 22 degë apo diploma të lidhura me të, nisin për vitin e ardhshëm akademik studimet 4500 studentë. Për pak ditë maturantët japin provimin e dytë të detyruar, atë të Matematikës. Brenda 30 qershorit ata do të mbyllin edhe lëndët me zgjedhje. Nëse mbyllin me rezultate pozitive këto provime, do të mund të konkurrojnë në shkollat e larta. Kush nuk kualifikohet tek njëri, e humb këtë shans. Listimi i dhjetë preferencave do të bëhet me anë të formularit A2, të cilin maturantët do të kenë afat ta plotësojnë deri në 30 korrik. Më tej, sistemi i përzgjedhjes do të jetë mbi bazën e pikëve që ka grumbulluar secili, sipas rezultateve të marra. Per te pare artikullin e plote atehere klikoni mbi: PDF

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment