Turizmi, Nishani porosi prefektëve: Kujdes për sigurinë e qytetarëve.

“Përgjegjësia para qytetarit, përgjegjësia para pushuesit është e të gjithëve, është e çdo institucioni në bazë të asaj çka ligji dhe aktet e tjera nënligjore ngarkojnë dhe përcaktojnë për të”.
Ky ka qënë qëndrimi i ministrit të brendshëm, Bujar Nishani gjatë takimit me prefektë e drejtues qarqesh lidhur me sezonin e ri turistik. Duke iu referuar rastit fatkeq të disa ditëve më parë ku një turiste çeke humbi jetën duke ushtruar sportin e kanotazhit, Ministri Nishani vuri theksin në kontrollin që duhet të ushtrojnë të gjithë institucionet përkatëse që sportet e kësaj natyre të organizohen nga agjenci të liçensuara.

“Tashmë në Shqipëri ka federata të liçensuara, të organizuara me njerëz të trajnuar, kanë guidat e tyre, e njohin terrenin dhe janë nën kontrollin e autoriteteve të cilat monitorojnë veprimtarinë e tyre. Nuk do të vazhdojë të tolerohet që njerëz jashtë këtyre trajnimeve, jashtë marrjes së këtyre masave, në mënyrë gjysëm ilegale të ushtrojnë aktivitete të tilla, të cilat nuk ofrojnë siguri mbi të gjitha për jetën e qytetarit, padyshim ato do të ndërpriten dhe nuk do të lejohen qoftë nga agjencitë përkatëse, qoftë edhe nga strukturat qe merren me mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë”, ka deklaruar ministri I brendshëm.

Ministri Nishani dha porositë përkatëse për kontrollin e përdorimit të motorëve të ujit, marrjen e masave të sigurisë nga organizatorët e liçensuar të këtij sporti dhe vendosjen e kufizuesve të lëvizjes së tyre. Nishani theksoi fort në fjalën e tij përmirësimin e vazhdueshëm të etikës së komunikimit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.



“Të gjithë punonjësve të policisë, të cilët do të ndeshen me ngarkesa edhe më të mëdha se sezonet të tjera, duhet t’u adresojmë këto çështje që kanë të bëjnë me etikën e komunikimit, të sjelljes, orientimit dhe dhënies së çdo informacioni që do t’u kërkohet apo mund t’i duhet çdo qytetari që vjen për të pushuar në Shqipëri”, tha ministry Nishani, duke kërkuar që veprimtaria e policisë të kontrollohet vazhdimisht nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe qytetarët pushues të kenë akses për të paraqitur denoncimet e tyre në rast të tejkalimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të policies”.


(noa.al)

No comments:

Post a Comment