Triumfi i populistit antik

Një retorikë e përditshme dominon debatet politike në Ballkan: integrimi në Bashkimin Evropian (BE). Nuk ka kryeministër, as president shteti, as ministër, as lider opozitar që nuk e përdor si karrem anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian. Fundja, a nuk ka premtuar vetë BE-ja në Samitin e Selanikut në vitin 2003 se perspektiva e vendeve të rajonit është në klubin e Brukselit? Kjo është e saktë, por kjo ka ndodhur para tetë vjetësh. Tash punët shtrohen ndryshe: disponimi i BE-së për zgjerim është afër zeros, nëse Kroacia arrin të anëtarësohet në vitin 2013, atëherë do të jetë sukses i madh. Për vendet e tjera pastaj do të mbyllet porta, sepse njëherë BE-ja ka probleme më serioze: Greqia mund të bankrotojë, Portugalia dhe Spanja po ballafaqohen po ashtu me probleme financiare, në fundjavë Qeveria e Sllovenisë e hodhi në referendum një reformë të pensioneve (që parashihte edhe rritjen e moshës së pensionimit), me qëllim që të konsolidojë bazën financiare dhe të mos sharrojë në krizë financiare. Për fatin e keq të Qeverisë në Lubjanë, qytetarët e hodhën poshtë këtë projekt. Përkundër vështirësive të BE-së, kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, duket si një optimist i pamposhtur, kur flet për integrimet në BE. Partia konservative e Gruevskit, VMRO-DPMNE, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës doli e para. Dhe Gruevski u ngut të theksojë para mbështetësve të tij se gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar prioritet, synim, cak e qëllim i qeverisë së tij do të jetë hyrja në BE dhe në NATO. Gruevski është në krye të qeverisë që nga viti 2006. Tani ai ka marrë mandatin e tretë si kryeministër. Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE qe rrafsh gjashtë vjet, por fillimi i negociatave nuk është caktuar ende. Ekzistojnë disa arsye për këtë bllokadë: në BE po shtohet skepticizmi sa i përket zgjerimit, shteti fqinj Greqia kërkon që Maqedonia ta ndërrojë emrin, sepse përreth qytetit të Selanikut gjendet një krahinë greke me të njëjtin toponim, dhe – arsyeja tjetër, mbase thelbësore – procesi i ngadalshëm i reformave në këtë vend të Ballkanit pengon integrimin në BE.

Megjithatë, opozita socialdemokrate nuk arriti ta heqë nga pushteti Gruevskin, i cili gjithnjë e më shumë luan rolin e një populisti të zhdërvjellët. Por, socialdemokratët e ish-kryetarit Branko Cërvenkovski së paku arritën të dyfishojnë numrin e deputetëve në Sobranje, siç quhet Parlamenti i Maqedonisë. Zgjedhjet e parakohshme u shpallën pas presionit që Qeveria ushtroi kundër një stacioni televiziv dhe disa gazetave. Biznesmeni dhe pronari i televizionit A1, Velija Ramkovski, u arrestua në dhjetor kinse për shkak të evazionit fiskal. Mediet e tij, të cilat janë mjaft të popullarizuara në Maqedoni, kishin kritikuar më parë Qeverinë e Gruevskit, duke e akuzuar për afera korruptive. Më parë Ramkovski ishte mbështetës i kryeministrit Gruevski. Autoritetet vepruan kundër tij vetëm pasi televizioni A1 filloi të kritikojë punën e kabinetit. Kjo e ka shtyrë opozitën ta quajë arrestimin e Ramkovskit një aksion hakmarrës të Gruevskit. Diplomatë në Shkup shprehin shqetësimin për ngushtimin e hapësirës së fjalë së lirë dhe për presionin që Qeveria e Gruevskit ua ka bërë shërbyesve civilë që të mos votojnë për opozitën.

Si në shumicën e vendeve të Ballkanit edhe në Maqedoni është etabluar një sistem i patronazhit, klientelizmit dhe nepotizmit. Parimi është neveritës: ai që është në pushtet kujdeset për klientët e tij, duke i punësuar dhe favorizuar; njëkohësisht oponentët politikë dhe shërbyesit civilë kryengritës dënohen, qoftë duke u transferuar në vende të parëndësishme pune ose duke u hequr nga puna. Gruevski jo vetëm që është një lyerës i shkathët i ingranazhit të tij të patronazhit, por edhe një lojtar i paskrupullt me ndjenjat nacionale të maqedonasve. Ndonëse maqedonasit sllavë nuk kanë asgjë të përbashkët me Maqedoninë antike, Qeveria prej vitesh po përpiqet që përmes statujave, përmendoreve dhe emërimeve të institucioneve të imitojë dhe përvetësojë trashëgiminë antike. Aksionet e tilla në Athinë përjetohen si provokime, gjë që nuk duhet ta befasojë Qeverinë e Maqedonisë. Edhe raportet me Serbinë ndodhen para një sprove: politikanë të lartë në Beograd janë bërë zëdhënës të krijimit të Shqipërisë së Madhe (sic!) dhe kërkojnë ndarjen e Kosovës, rrjedhimisht edhe vizatimin e kufijve të rinj në Ballkan. Në Shkup kjo ide ka ngjallur panik, sepse në rast se veriu i Kosovës i bashkohet Serbisë, atëherë me çfarë argumenti mund të binden shqiptarët të qëndrojnë brenda Maqedonisë. Për të zbutur sadopak tensionet ndëretnike Gruevski edhe qeverinë e ardhshme do të krijojë Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), një parti që gëzon mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të atjeshëm. Duke qeverisur prej vitesh me Gruevskin, edhe BDI-ja e ka ndërtuar sistemin e patronazhit. Një sistem i tillë është i mundshëm, sepse as në Maqedoni nuk ka shoqëri të fuqishme civile. Në rrethana të tilla s’është befasi që në këtë vend triumfon një populist antik si Nikola Gruevski.

(Enver Robelli/gatetatema.net)

No comments:

Post a Comment