Trafikoi “të fejuarën”, 10 vjet burg tutorit

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me 10 vjet burg një person të akuzuar për “shfrytëzimin si prostitutë” të ish-bashkëshortes së tij në Greqi. Kleanth Zaimi u deklarua i fajshëm nga Shkalla e Parë e Krimeve, për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, i kryer jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Vendimi përfundimtar ndaj tij u shpall tek Krimet pas 55 seancash shqyrtimi gjyqësor. Ngjarja për të cilën u deklarua fajtor Zaimi, është shënuar në vitin 2007. Pas një fejese disa vjeçare në Shqipëri, Zaimi e ka marrë në shtetin grek vajzën. Sipas Prokurorisë, pas një jave qëndrimi në shtetin grek, ajo është detyruar nga Zaimi të kryejë marrëdhënie seksuale me disa persona të panjohur. Ndërkohë, pak ditë më vonë, ai e ka kthyer atë në Shqipëri, duke e kërcënuar nëse do të tentonte të tregonte për atë çfarë i kishte ndodhur. Dosja në ngarkim të Kleanth Zaimit mbërriti në dhjetor të vitit 2008 në Gjykatë, ndërsa shqyrtimi i saj nisi në janar të vitit 2009. Akuza e ngritur fillimisht ndaj tij ishte ajo e “trafikimit të femrave për prostitucion”, shoqëruar me dhunë fizike e psikike.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment