Topi pret Ferid Muradin:Pikë referimi për kombin

Pikë referimi, jo vetëm për të gjithë kombin tonë, por edhe për shkencëtarët shqiptarë dhe më gjerë e ka quajtur sot kreu i shtetit, nobelistin me origjinë shqiptare dhe njëkohësisht edhe “Nderin e Kombit” tonë, Dr. Ferid Muradin.

Gjatë takimit të zhvilluar sot në presidencë, Bamir Topi ka vlerësuar përkushtimin dhe arritjet e tij në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, të cilat kanë merituar njohjen e bashkësisë së shkencëtarëve dhe mjekëve në mbarë botën.

“Për të gjithë të rinjtë shqiptarë që ua kanë kushtuar studimet e tyre mjekësisë dhe kërkimeve shkencore, pa të cilat nuk mund të mendohet zhvillimi i një vendi e i një populli, një shembull i tillë vullneti dhe vendosmërie profesionale shërben si një model dhe motiv i fortë për punën e tyre në të ardhmen”, –tha Topi.

Të dy gjatë bashkëbisedimit theksuan domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri të shkencëtarëve shqiptarë dhe thellimit të kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e mjekësisë, duke vënë në dukje rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, sigurimet shëndetësore, investimet në këto fusha si dhe përsosja e mëtejshme e kërkimit shkencor për mirëqenien e qytetarëve shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment