Topi-Lidington: Dialog për zgjidhjen e ngërçit

Presidenti i vendit, Bamir Topi priti sot paradite Ministrin e Shtetit në Zyrën e Punëve të Jashtme të Komonuellthit, Dejvid Lidington, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam.

Pasi i uroi mirëseardhjen Ministrit Lidington, Presidenti Topi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar në të gjitha fushat duke i quajtur ato: “marrëdhënie të një partneriteti dhe aleance të ngushtë”.
Kryetari i Shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen konstante të Britanisë së Madhe në konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura si dhe për përmbushjen e ambicjeve integruese euro-atlantike të Shqipërisë.

Gjithashtu, Presidenti Topi theksoi se: “Si një nga partnerët tanë më të rëndësishëm e të ngushtë strategjikë, Britania e Madhe dhe përfaqësuesit e saj zyrtarë, kanë kontribuar vazhdimisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe në përparimin e saj drejt familjes së madhe evropiane”.

Presidenti Topi dhe Ministri Lidington gjatë takimit prekën edhe çështje të Ballkanit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së kontakteve nëpërmjet nxitjes së dialogut politik dhe bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit të përbashkët në strukturat euro-atlantike. Në këtë drejtim Ministri Lidington vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë afatgjatë rajonale dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë pa cënuar e duke respektuar integritetin territorial të çdo vendi balkanik.

Duke diskutuar për situatën në vend, Presidenti Topi dhe Ministri britanik i Shtetit, Dejvid Lidington theksuan rëndësinë e kapërcimit sa më të shpejtë të ngërçit politik nëpërmjet dialogut institucional dhe përmbylljes në mënyrë ligjore të procesit zgjedhor.

Pasi vlerësoi rolin pozitiv e publik të Kreut të Shtetit shqiptar në drejtim të rivendosjes së dialogut institucional politik, Ministri Lidington theksoi rëndësinë e realizimit të reformave dhe plotësimit të kritereve të nevojshme, duke nënvizuar edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të Britanisë së Madhe ndaj aspiratave integruese të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment