Thaçi premton standarde evropiane për mësimdhënësit

“Ju do të keni standardin e punëtorëve të arsimit të vendeve të BE-së”, u ka thënë mbrëmë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mësuesve të Komunës së Mitrovicës, në një darkë që ua shtroi atyre në Hotelin Palac.

Mësuesit janë përkushtimi im në punë dhe në jetë dhe Qeveria e Kosovës do të rrisë përgjegjësinë ndaj mësimdhënësve edhe në të ardhmen, ka thënë kryeministri i Kosovës.

“Duke investuar në edukim do të investohet në të ardhmen e vendit, andaj Qeveria do të vazhdojë të investojë në këtë drejtim, por edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në përgjithësi. Ju do të keni standardin e punëtorëve të arsimit të vendeve të BE-së”, është shprehur Thaçi, raportojnë mediat.

Sipas tij, rritja e pagave ka qenë vendim jashtëpartiak, sepse mësimdhënësit u përkasin të gjitha partive politike. “Kosova nuk është në krizë, por në krizë janë ata që kanë qenë kundër rritjes së pagave”, tha mes tjerash Thaçi. Në këtë takim Thaçin e kanë shoqëruar edhe ministrat Bajram Rexhepi e Bedri Hamza.

Po dje në mbrëmje kryeministri Hashim Thaçi organizoi një darkë me rreth një mijë mësimdhënës të Vushtrrisë. “Rritja e pagave për mësimdhënësit ka qenë interes shtetëror dhe mbi çdo interes politik”, tha ai gjatë darkës në Hotelin “Amazona”, i cili ndodhet në Babimost të Obiliqit.

Kryeministri Thaçi këtu tha se konsolidimi i shtetit dhe forcimi i tij është më i fuqishëm kur vazhdojnë investimet në sektorin e edukimit, që përcakton edhe zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment