Dje, në Gjykatën e Lartë u zhvillua seanca gjyqësore ku përballej Zyber Lela me Fatmir Mediun, ish-ministrin e Mbrojtjes. Padia e Lelës ndaj Mediut kishte për objekt "Plagosjen e rëndë nga pakujdesia". Në nisje të kësaj seance Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, drejtuar nga Evelina Qirjako bëri të ditur se në emër të Z. Zyber Lela ishte depozituar një kërkesë me anë të së cilës hiqte dorë nga padia ndaj Z. Fatmir Mediu.
Kjo kërkesë erdhi krejt e papritur, sepse në seancën e mëparshme Zyber Lela u shpreh publikisht se ishte i vendosur për ta çuar çështjen deri në fund. Në po atë seancë Lela deklaroi se e vetmja rrugë për t'u tërhequr nga padia e tij ishte marrja përsipër dhe pagimi i të gjitha shpenzimeve për ndërhyrjet kirurgjikale të cilat kushtonin jo pak, por mbi 40 mijë euro. Sipas asaj që Lela tha në seancën e parë, ai ishte takuar me përfaqësues të Mediut, por nuk kishte arritur marrëveshje.
Në seancën gjyqësore, avokati i Fatmir Mediut, Ardian Visha, e nisi fjalën e tij duke thënë se "do të ishte hipokrizi nëse do të thoshte se nuk kishte dijeni për këtë kërkësë të re nga Z. Zyber Lela", duke lënë të kuptohet se ishte njoftuar që më parë për tërheqjen e padisë nga ana e akuzuesit. Kjo tingëllon e çuditshme, po të kihet parasysh se tërheqja e Lelës u bë publike vetëm sot, prej trupit gjykues.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të Zyber Lelës kërkuan që kjo kërkesë të trajtohej si të gjitha rastet e tjera analoge nga Gjykata e Lartë, ku kërkesa të tilla, të paraqitura vetëm në formën e një deklarate noterike, nuk janë pranuar - nëse nuk janë dorëzuar nga vetë personi në seancë, apo nga përfaqësuesit e tij ligjorë. Hera e fundit kur është shfaqur ky fenomen, ka qenë më 1 dhjetor 2010, kur Gjykata e Lartë me vendimin 1021 shprehej se tërheqja bëhet personalisht nga i dëmtuari ose përfaqësuesi i tij dhe jo përpara noterit publik, dhe se kjo vinte në përputhje të plotë me të gjithë praktikën gjyqësore të konsoliduar tashmë të kolegjit penal të Gjykatës se Lartë në lidhje me vlefshëmërië ligjore të deklartave noteriale. Kështu Gjykata e Lartë nuk e mori në konsideratë këtë praktikë të konsoliduar nga vetë ky institucion, duke e ndryshuar "ad hoc" vetëm për rastin e Fatmir Mediut.
Avokatët e Qendrës "Res Publica" në ndihmë të Zyber Lelës kërkuan gjithashtu që të sqarohej arsyeja e prezencës në seancë të një numri të madh të pandehurish, ndërkohë që një seancë më parë Znj. Evelina Qirjako kishte deklaruar se çështja ishte vetëm kundër Fatmir Mediut. Edhe vetë Zyber Lela në padinë e tij akuzonte vetëm 6 persona, ndërsa në seancë ishin përfaqësuesit e 30 të pandehurve. Por as kjo anomali nuk mori përgjigje procedurale nga Gjykata e Lartë. Për avokatët, por edhe për publikun, mbetet e paqartë arsyeja pse u lajmëruan nga gjykata 30 të pandehur, të cilëve nuk u është dhënë as shansi që të pajtoheshin në një seancë të parë me kërkuesin Zyber Lela, aspekt i dëtyrueshëm ky i procedurës penale. Në këtë mënyrë Gjykata e Lartë bëri të mundur vetëm përparimin e çështjes kundër F Mediut, duke u nxituar ta mbyllë atë shpejt e shpejt, e duke kundërshtuar edhe vetë praktikat e mëparshme të po këtij institucioni.
Në përfundim të seancës gjyqtarët shpallën pushimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe e kaluan kompetencën e gjykimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të pandehurit e tjerë.
Mbetet mister arsyeja e vërtetë e tërheqjes së Zyber Lelës nga akuza, ndërkohë që Mediu edhe kësaj radhe "del pa u lagur", nga çështja "Gërdeci", duke mos e dorëzuar imunitetin e duke mos iu nënshtruar hetimeve.
Kalvari i mundimshëm i Zyberit, nga spitali në Gërdec
Zyber Lela ka vuajtur prej kohësh nga një sëmundje serioze në zemër, dhe për këtë arsye është operuar dikur në qendrën spitalore "Nënë Tereza". Sëmundja e tij ka qenë e rëndë, fillimisht ka bërë një ndërhyrje në valvulat e zemrës, pastaj ka bërë një operacion të dytë ku është bërë tërësisht ndërrimi i valvulës. Për të bërë stabilizimin e ritmit të zemrës ka qenë e detyrueshme të bëheshin edhe dy goditje elektrike në Shqipëri dhe një provë tjetër në Selanik. Në nëntor 2007 Lela është shtruar sërish në QSUT dhe ka dalë nga spitali vetëm një muaj përpara shpërthimit tragjik të Gërdecit.
Në momentin e shpërthimit, Zyberi ishte i shtrirë në krevat, për të marrë veten nga operacionet dhe ndërhyrjet e shumta, po qetësia e tij është prishur nga shembja e çatisë. Copat e tavanit i kanë rënë përsipër duke ia rihapur plagët e operimit dhe e zunë poshtë. Në atë moment në shtëpi nuk ndodhej askush. Bashkëshortja bashkë me djalin ishin duke punuar tek stacioni i trenit në Tiranë, ndërsa nusja e djalit ishte jashtë shtëpisë dhe mbeti pa ndjenja nga vala goditëse. Pas rreth 1 ore tmerr dhe asfiksi nën rrënoja, aty kanë ardhur dy punëtorë që punonin në repartin e çmontimit të predhave.
Ata panë shkatërrimin dhe dëgjuan thirrjet e Zyberit nën rrënoja. Punëtorët me ndihmën e disa barinjve arritën ta nxjerrin nga rrënojat, dhe e strehuan rreth 300 metra larg banesës në një vend më pak të rrezikshëm. Por fati i keq i Zyberit nuk mbaronte me kaq atë ditë tmerri. Aty ku ishte sistemuar ka shpërthyer një predhë tjetër e kalibrit të madh (152 mm) dhe e ka hedhur Zyberin disa metra larg duke e lënë pa ndjenja deri sa u err.
Në darkë, teksa barinjtë ktheheshin së bashku me bagëtinë, e kanë çuar sërish në shtëpinë e shembur, mbuluar nën një copë solete betoni për të kaluar natën pasi nuk kishte asnjë mundësi tjetër për të përshkuar zonën e nxehtë që ende gjëmonte nga predhat e mbetura të paplasura. Ushtria dhe policia nuk mund të futeshin sepse ishte errësirë dhe kishte rrezik nga predhat. Kur zbardhi dita, i vëllai Flamur Lela ka detyruar forcat e armatosura që të përdornin blindin dhe të hynin me forcë, pasi nuk liheshin as djemtë e Zyberit që të hynin në zonë. Transporti është bërë me autoblind, nga rrënojat rreth 300 m. larg kraterit, deri në zonën e jashtme, larg rrezikut nga predhat.
Në gjendje të shokuar dhe me plagë të hapura, Zyberi është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak. Atje është konstatuar përkeqësimi i gjendjes së ardhur nga shpërthimi dhe në konsultim me mjekun që e kishte operuar është nisur për t'u rioperuar në QSUT Nënë Tereza. Por për shkak të kohës që nuk premtonte sepse gjendja ishte tepër e rëndë dhe e komplikuar, u dërgua për shpejtësi në repartin kardiokirurgjikal në Spitalin Amerikan. Sipas mjekut Andi Kacani, pacienti është ndjekur për një periudhë prej 10 ditësh nën kartelën nr. 2655.
Zyber Lela sot është invalid i çertifikuar nga komisioni mjekësor dhe arrin të lëvizë me vështirësi me ndihmën e të afërmve. Prej kohësh ai ka tentuar të kërkojë një rrugëzgjidhje për mbulimin e shpenzimeve të operimeve të shumta që ai ka nevojë për të mbijetuar, por deri në datë 24 maj 2011 askush nuk e mori përsipër përgjegjësinë duke e detyruar Zyberin t'i drejtohet dyerve të gjykatës.
SHIFRA
6 muaj ka zgjatur pritja për këtë çështje, derisa dje u vendos pushimi i gjyqit për Fatmir Mediun
6 ishin të akuzuarit nga Zyber Lela. Veç Mediut, të akuzuar janë Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Sokol Ngjeçi dhe Shoqëria tregtare Alba-Demil Shpk
42.000 euro ka kërkuar në seancën e mëparshme Zyber Lela, që të hiqte dorë nga padia kundër Fatmir Mediut.
* * *
Evelina Qirjako
Gjyqtare
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, drejtuar nga relatorja Evelina Qirjako, në bazë të nenit 59, 387/1, 328/c, 74, 83/1 dhe 85 të Kodit të Proçedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, vendosi, Pushimin e çështjes penale ndaj të akuzuarit Fatmir Mediu si dhe shpalljen e moskompetencës lëndore për gjykimin e çështjes ndaj të akuzuarve të tjerë; Ylli Pinari, etj. dhe dërgimin e çështjes për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Dorian Matlija
Avokat i Lelës
Gjykata e lartë në këtë rast nuk respektoi praktikën e mëparshme, që është konsoliduar nga Kolegji Penal dhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatë së Lartë, që nuk kanë marrë në konsideratë asnjëherë deklaratat noteriale që nuk janë paraqitur nga vetë kërkuesi personalisht në seancë, ose nga përfaqësuesit e tij ligjorë. Në këto kushte Gjykata e Lartë duhet të kërkonte një seancë tjetër ku të verifikonte vullnetin e Zyber Lelës, i cili jo më larg se 15 ditë më parë u shpreh i vendosur për ta çuar çështjen deri ne fund.
Andi Kananaj
Avokat i Lelës
Jam i habitur sepse Zyber Lela ishte një nga të plagosurit me më shumë pasoja, dhe një nga personat që kishte bërë disa herë përpjekje për të kontaktuar me avokatët e qendrës "Res Publica". Zyberi ishte i dëmtuar në zemër, shpatull dhe shtyllë kurrizore, dëmtime këto që ai i shoqëron edhe më vërtetimet përkatëse. Tërheqja e Zyberit tregon se ai duhet të ketë patur një arsye të fortë për t'u tërhequr. Nëse ka pasur një zgjidhje jashtëgjyqësore mes palëve, duhet të kujtoj se kjo është në kundërshtim me Parimet e Kombeve të Bashkuara mbi Parandalimin Efektiv dhe Hetimin e Ekzekutimeve Ekstraligjore, Arbitrare dhe atyre në Masë.
Ardian Visha
Avokat i Mediut
Do të ishte hipokrizi që të mos pranoja se jemi në dijeni të plotë të aktit të tërheqjes së ankimit nga ana e kërkuesit Zyber Lela. Nuk ka rëndësi sesi është paraqitur deklarata noteriale, e rëndësishme është që ajo shpreh qartë vullnetin e kërkuesit. Në këtë proces ka vetëm një person i cili e vë në lëvizjë atë dhe ai është vetë kërkuesi Zyber Lela, i cili duhet të respektohet në çdo kërkesë të tij, pavarësisht pretendimeve të avokatëve të zgjedhur prej tij.
(24-ore.com)
No comments:
Post a Comment