Tafaj dekoron nobelistin shqiptar, Ferid Murati

Tirana u vizitua dje nga një prej personaliteteve më të njohur në fushën e kërkimit shkencor dhe të mjekësisë, nobelisti shqiptaro- amerikan, doktor Ferid Murati. Takimin e tij të parë ai ia ka kushtuar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafajt. Nobelisti i njohur për shpikjet e tij me famë, në veçanti për atë të medikamentit të viagrës, u shpreh se kërkimet shkencore janë pjesë e jetës, pa të cilat bota nuk mund të zhvillohet. Këtë mesazh të nobelistit të madh e ka mbështetur edhe kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj. “Biografia dhe karriera shkencore e doktor Ferid Muratit është frymëzim për çdo student dhe për çdo shkencëtar të ri që dëshiron të punojë në fushën e bukur të shkencës dhe në rrugën e vështirë, por mjaft të bukur, të dijes”, tha Tafaj. Në fund të këtij takimi, një dhuratë simbolike nga Shqipëria, një statujë e nobelistes Nënë Tereza, për një nobelist. Ferid Murati lindi më 14 shtator të vitit 1936 në SHBA, është studiues shqiptaro-amerikan i mjekësisë, fitues i çmimit “Nobel për Mjekësi” në vitin 1998. Mban titullin “Doctor Honoris Causa” në Universitetin e Europës Juglindore dhe në Universitetin e Tiranës. Ferit Murati ka bërë dhjetëra studime mbi rolin e qarkullimit të oksidit nitrik. Ky studim u mor për bazë në zhvillimin e metodave të reja për trajtimin e impotences. Kontributi i tij ishte i një rëndësie madhore edhe për shpikjen e viagrës, pak kohë më vonë.

Takimi me ministrin e shëndetësisë

Në mesditë ai zhvilloi një tjetër takim me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ata kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre, për sa i takon reformës së edukimit në vazhdim. Profesor Murati është interesuar në lidhje me detaje profesionale dhe ecurinë e kësaj reforme në vendin tonë. Në fund të takimit, ministri Vasili i ka dorëzuar prof. Muratit një dhuratë simbolike, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në fushën e mjekësisë botërore, duke uruar që shumë shqiptarë të tjerë të ndjekin rrugën e tij.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment