Stresi sfidon problemet me Policinë, nis xhirimet e një klipi romantik

Jo rebeli dhe tipi i mashkullit pa ndjenja, por djali që kur dashuron vërtet është gati të japë edhe jetën për femrën e zemrës, historinë me të cilën e ka memorizuar në qindra sms telefonike. Ishte planifikuar që klipi më i ri i këngëtarit me emrin e artit Stresi (Arkimed Lushaj) të ishte një duet me Ronela Hajatin, por duket se kësaj të fundit i është bërë dalje, ndërsa do të zëvendësohet me një këngëtare tjetër. Artisti i njohur i muzikës rap tregon për shfaqjen ndryshe si këngëtar dhe fabulën e një kënge me titull “Lamtumirë”, që u dedikohet dy të dashuruarve të marrosur pas njëri-tjetrit. “Në klipin tim të ri ju tregoj anën time më të mirë”, shprehet Stresi në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Stresi, dimë që po përgatitesh të nxjerrësh në treg klipin e këngës “Lamtumirë”. Mund të xhirosh normalisht, ndërkohë që ekziston një urdhër arresti ndaj teje, pas konfliktit të përfolur me Leonard Bombaj?
Unë në ndjekje?! Jam njeri i lirë dhe s’më ndalon askush të bëj realitet atë çfarë kam pasion, pra të vazhdoj karrierën time muzikore. S’ka të bëjë nëse duhet të marr leje diku ose jo për këtë gjë, thjesht puna vazhdon.
Mund të na zbulosh detaje rreth klipit “Lamtumirë”, si do të shfaqesh kësaj here?
Në këtë klip do të shfaqem më mirë së kurrë më parë. Kënga “Lamtumirë” është mjaft serioze e për të kemi punuar shumë. Dhe kësaj here do njiheni me Stresin ndryshe nga ai që njohin të tjerët.
Po thua që nuk do të jesh më ai djali rebel që jemi mësuar të shohim në skenë?
E vërteta është që kam qejf të ndihem rebel në skenë, po në këte klip tregoj pjesën më të bukur të profilit tim.
Ndërkohë që u fol se kënga “Lamtumirë” ishte një duet me Ronela Hajatin, keni ndryshuar plan?
Në fakt po, nuk do të jetë në klip Ronela Koçi, oops më falni doja të thosha Hajati (qesh). Është ndryshuar plani që kishim dhe në duet me mua do të këndojë dikush tjetër, që do ta bëjmë publik pak më vonë.
Nuk dimë shumë për fabulën e kësaj kënge, mund të na tregosh detaje, bëhet fjalë për një klip ektravagant apo jo?
Kjo këngë është bazuar mbi SMS-të që unë kam shkëmbyer me një engjëll dhe fabula e këngës bazohet në historinë e një çifti që duhet aq shumë, saqë në çdo moment, kudo dhe pa e menduar dy herë, do të jepnin jetën për njëri-tjetrin. Nuk do të jetë një klip ekstravagant, por shumë tërheqës si ide dhe keni për ta parë vetë shpejt.
Ndërkohë që në jetë, ju po jetoni lidhjen e dashurisë me Enxhin. E keni përkufizuar në media këtë lidhje me fjalët “Urrehemi për t’u dashuruar”. Mund ta quajmë lidhjen tuaj atë të një dashurie grindavece?
Për hir të së vërtetës, unë dhe Enxhi kemi një lidhje shumë të veçantë dhe speciale. Ne nuk rrimë dot pa njeri-tjetrin dhe shprehja “Urrehemi për t’u dashuruar” u tha kur lidhja jonë ishte në planin A, tani jemi në planin B.
Përveç klipit, ke planifikuar të dalësh në treg me këngë të reja ku t’i riktheheshit profilit tënd prej rebeli?
Planet e mia janë paksa të stresuara, pasi kam kaluar disa probleme të vogla që më kanë penguar disi të zhvilloj aktivitetin tim muzikor. Por, di të them që këtë verë kam dy klipe për të publikuar dhe po bëj maksimumin.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment