Si u bënë makaronat ushqimi më i preferuar në botë

Makaronat janë renditur në një sondazh botëror si ushqimi më i preferuar. Por si ia ka dalë ky ushqim kaq i lidhur me Italinë të jetë i pranishëm në kaq tryeza në botë?
Ndërsa jo shumëkush e di se cila është diferenca mes farfalle, fettuccine e fusilli, shumë njerëz kanë ngrënë bolonjeze ose lazanjë.

Por tani një sondazh i organizatës Oxfam ka nxjerrë makaronat si pjatën më popullore në botë, përpara mishit, orizit e picas. Përveçse është popullore në Europë, makarona është shumë e preferuar në Filipine, Guatemala, Brazil e Afrikën e Jugut.

Të dhënat nga Organizata Ndërkombëtare e Makaronave tregojnë se Venezuela është konsumatori më i madh i tyre pas Italisë. Tunizia, Kili e Peruja janë në Top 10, ndërsa meksikanët, argjentinasit e bolivianët hanë më shumë makarona se britanikët.

Të dhënat për shitjet tregojnë dashurinë në rritje për makaronat- në vitin 2003 shiteshin gjithsej 13 miliard dollarë makarona, në vitin 2010- 16 miliard. Sivjet pritet që kjo shifër të arrijë në 19 miliard dollarë.

Por si u bë kaq popullore makarona? Për shkak se është e lirë, e përshtatshme dhe me shumë përdorime, thotë Jim Winship nga Pizza, Pasta and Italian Food. Një salcë mund të bëhet nga përbërës të thjeshtë.

Por kjo është një pjesë e suksesit. Makarona është e lehtë për tu prodhuar në masë, për tu ruajtur e për tu transportuar në mbarë botën.

Makarona ka pasur gjithmonë një aspekt global dhe origjina e saj nuk është pastërtisht italiane. Ajo shpesh jo pa çudi mendohet se bëhet thjesht me miell e ujë.

Grekët e romakët kishin një produkt të ngjashëm me makaronat, por tendenca ishte që ajo të piqej e jo të zihej. Kinezët po ashtu kishin diçka të ngjashme, por është një mit ideja se eksploratori venecian Marko Polo e solli makaronën nga Kina në vitin 1295.

Teoria më e pranuar është se pushtimet arabe në shekullin e tetë sollën një produkt të ngjashëm në Siçili. Makaronat e para bëheshin duke përdorur një grurë të veçantë, për të cilin ishte e specializuar Siçilia.

Për herë të parë prodhimi i makaronave në Itali daton në vitin 1154 dhe bëhej fjalë për një punishte eksporti në Siçili.

Por shpërthimi erdhi në Napolin e viteve 1700 kur shihej si një mënyrë e mirë për të ushqyer pjesë të mëdha të popullsisë.

Makaronat jashtë Italisë u bënë të famshme në shekullin e 20 kur një numër i madh emigrantësh italianë eksploruan Botën e Re.

Eksperti italian, Antonio Carluccio thotë se makaronat kanë një histori të gjatë, por italianët e kanë bërë të tyren duke e ngrënë me domate.

Ai thotë se spaghetti është më i njohur jashtë Italisë, por ka rreth 600 lloje të ndryshme dhe çdo rajon i gatuan ndryshe.

“Nuk njoh ndonjë njeri që nuk pëlqen makaronat. Është e ngjashme me bukën, e bërë nga uji e mielli. Pyet një futbollist se çfarë di të gatuajë dhe do të thotë spaghetti. Është ajo që mund të bësh kur nuk di të bësh gjë. Është ushqim për njerëz të varfër dhe nuk është i sofistikuar. Është njësoj si buka- ti thjesht e zien në vend që ta fusësh në furrë”.





Top 5 prodhuesit e makaronave



Italia – 3.2m ton në vit

SHBA – 2.6m

Brazil – 1.3m

Rusia – 858,000

Zvicra – 607,000
(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment