Si po synon Izraeli të përçajë BE-në?

Izraeli po përpiqet që me çdo kush të parandalojë njohjen e shtetit të Palestinës, gjatë takimit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtator. Një nga mundësitë për ta bërë këtë, sipas zyrtarëve izraelitë, është që të shkaktohet përçarje në mesin e shteteve anëtare të BE-së. Sipas tyre, BE-ja “do ta ketë shumë vështirë që të marr një vendim unanim për njohjen e shtetit të Palestinës, siç ka ndodhur edhe me rastin e Kosovës”. Ministria e Jashtme e Izraelit ka vënë në shënjestër Bullgarinë, Çekinë, Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë, në kuadër të përpjekjeve për të përçarë BE-në, me qëllim që të parandalojë që unioni si tërësi të njohë shtetin e Palestinës, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila zhvillohet në shtator.

Ky plan diplomatik është përcjellë me anë të kabllove të brendshme, të hartuara nga zyrtarë të lartë të jashtëm, përfshirë këtu edhe drejtorin e përgjithshëm, Rafael Barak, kryesuesin e departamentit për Evropën Perëndimore, Naor Gilon dhe kryesuesin e sektorit për Evroazi, Pinhas Avivi, kabllo këto të cilat i janë dërguar të gjitha ambasadave izraelite në shtetet anëtare të BE-së. Kabllot janë dërguar javën e kaluar dhe përmbajtja e tyre është parë nga e përditshmja izraelite, Haaretz.

Kabllot ndajnë shtetet anëtare të BE-së në tri grupe: shtetet që tashmë kanë kundërshtuar hapat e OKB-së, shtetet e pavendosura dhe shtetet me qëndrime pro-palestineze.

Grupi i dytë, në të cilin bëjnë pjesë gjashtë ish-shtetet komuniste tani anëtare të BE-së, janë prioritet, me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Izraelit që do të vizitojnë kryeqytetet e këtyre vendeve në muajin qershor.

Në shtetet të cilat kundërshtojnë hapin e OKB-së përfshihen Gjermania dhe Italia. Thuhet se shtetet pro-palestineze janë Belgjika, Irlanda, Portugalia dhe Suedia. Franca, Britania dhe Spanja nuk përmenden në kabllo, por ministria e Jashtme e Izraelit beson se do të jetë shumë vështirë që këto shtete të bindën që të kundërshtojnë iniciativën e OKB-së.

Në një prej kabllove të Gilonit thuhet se BE-ja “do ta ketë shumë vështirë që të marr një vendim unanim për njohjen e shtetit të Palestinës, siç ka ndodhur edhe me rastin e Kosovës”.

“Në të më tutje theksohet:”Synimi ynë është që të krijojmë momentumin kundër njohjes së shtetit të Palestinës në qershor, duke krijuar sa më shpejtë që është e mundur një bllok të shteteve të BE-së, të cilat e kundërshtojnë këtë hap”.

Në kabllo theksohet se porosia kryesore duhet të jetë se ky hap i OKB-së delegjitimon Izraelin dhe minon mundësinë për të arritur një zgjidhje të negociuar.
Në një kabllo të Barakut theksohet: “Plani juaj duhet të jetë që t’i afroheni politikanëve më të lartë, që të mobilizoni organizatat e rëndësishme, siç janë komunitetet lokale hebrenje, organizatat joqeveritare, duke shfrytëzuar me këtë rast mediet, për të ushtruar ndikim te opinionet lokale publike”.

Gilon theksoi se ambasadorët duhet të kërkojnë nga shtetet pro-palestineze që të qëndrojnë të heshtura, që të organizojnë biseda telefonike mes udhëheqësve të BE-së me kryeministrin, ministrin e Jashtëm dhe presidentin e Izraelit, që të nxisin deklaratat kundër pavarësisë nga ana e politikanëve me ndikim dhe që të shkruajnë artikuj dhe editoriale kundër pavarësimit të Palestinës.

Një diplomat izraelit tha se ka parë disa nga këto kabllo, por shtoi se nuk mund të garantojë se të gjitha ato janë autentike.

Ai nënvizoi se përderisa kjo rrjedhje mund të prodhojë një vullnet të keq, porosia thelbësore është në përputhje me atë, që Izraeli e ka thënë gjatë gjithë kohës publikisht.

“Ne e kemi përcjellë porosinë e qartë se nëse shteti palestinez nuk krijohet nëpërmjet negociatave, kjo mund të prodhojë më shumë tendosje, madje edhe më shumë jo-stabilitet në rajon”, theksoi ky burim.

Një diplomat i BE-së la të kuptojë se ekziston një mungesë e besimit mes strukturave të Izraelit dhe atyre të BE-së.

“Ideja e Izraelit është që të krijojë një vendlindje për të gjithë hebrenjtë në botë dhe ata ende po trimërojnë njerëzit që të kthehen. Nuk është në interes të tyre që të kenë kufij të përcaktuar, ngase mbetet e paqartë se sa njerëz do të jenë ata të detyruar që të akomodojnë në të ardhmen”, tha ky burim i BE-së.

Shërbimi për marrëdhënie me jashtë i BE-së aktualisht po tenton të formësojë një qëndrim të përbashkët për iniciativën e OKB-së dhe të organizojë një takim të katërshes-BE-së, Rusisë, OKB-së dhe SHBA-së-takim në nivel të ministrave të Jashtëm, për të diskutuar për rrugën përpara.

Një zyrtar tjetër i BE-së njohjen e pavarësisë së Palestinës nga ana e OKB-së e cilësoi si “përplasje trenash”.

BE-ja aktualisht po tenton të bindë Izraelin që t’iu ofrojë palestinezëve alternativa të vërteta, në mënyrë që ata të heqin dorë nga plani i tyre për njohje dhe që të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment