Shtatë të arrestuar për shpërdorim të detyrës zyrtare

 
Policia e Kosovës në orët e paradites ka arrestuar shtatë persona me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale “shpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 339 dhe përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës nga neni 340 i Kodit Penal të Kosovës”.

Të gjithë të dyshuarit kanë qenë punonjës në Qendrën e Mjeksisë Familjare (QKF), në Rahovec të cilët janë arrestuar nga ana e hetuesve policor.

Të arrestuarit janë: Ejup Z 1960; Avdyl H 1962; Rexhep V 1954; Agim E 1975; Fatmir D 1972; Selajdin R 1962; Shani V 1959.

“Hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar muaj më parë dhe njësiti hetimor në Prizren, gjatë hetimeve të zhvilluara ka siguruar prova të mjaftueshme se të dyshuarit, dyshohet se kanë kryer veprat penale, kështu duke shpërdoruar detyrën zyrtare në mënyra të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Keqpërdorimet të cilat i kanë bërë këta të dyshuar janë: shpërdorim me derivate (kanë marr derivate për nevoja private), shitje e pajisjeve medicinale nga automjeti i emergjencës (pajisje aparati EKG, defibrilator monitor dhe pajisjet përcjellëse), shitje e pajisjeve të rëntgenit, ngritja e gradave të punëtorëve pa kritere më parë të përcaktuara si dhe pagesat për punë jashtë orarit të punës thuhet se janë dhënë në kundërshtim me rregulloren.

Hetimet në lidhje me këtë rast janë duke vazhduar, ndërkohë në konsultim me prokurorin publik të Qarkut në Prizren të gjithë të dyshuarve ju është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment