Shqiptarët faktor në krijimin e qeverisë

Faktori politik shqiptar me rezultatet e arritura në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit është vendimtar për formimin e koalicionit qeveritar. Kështu kanë deklaruar diplomatë perëndimor në Shkup.

Një diplomat evroperëndimor i tha agjencisë së lajmeve INA se faktori politik shqiptar, sidomos BDI është në lojë dhe përbën një nga faktorët kyç për formimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar. "BDI, por edhe PDSH bashkërisht mund të kenë një rol vendimtar për të arritur objektivat e tyre.

Ali Ahmeti tani ka radhën të lozë lojën e tij rreth formimit të koalicionit dhe të imponojë kushtet dhe platformën e tij për qeverisjen e re, për ti dhënë një imazh tjetër", theksoi diplomati evropian për agjencinë e lajmeve INA, duke mos përjashtuar edhe rolin e PDSH-së, e cila mund të jetë një lojtare rreth formimit të një koalicioni më të gjërë me partitë e opozitës, në rast të dështimit të koalicionit të paralajmëruar VMRO-DPMNE dhe BDI.

Partia shqiptare BDI pritet vetëm të konfirmojë bashkëqeverisjen me VMRO-DPMNE, duke participuar si partia e vetme shqiptare, pa ndonjë parti tjetër. Ahmeti disa ditë më parë theksoi se BDI respekton vullnetin e palës tjetër, të arritur në zgjedhje.

Nga ana tjetër, në rast të mosfunksionimit të këtij koalicionit, atëherë mund të vijnë në lojë edhe kombinatorika të tjera, ku LSDM me 42 deputetët e fituar mund të jetë në lojë për formimin e një qeverie.

Në zgjedhjet e 5 qershorit, VMRO-DPMNE ka fituar 56 vende deputetësh, ndërsa asaj i duhet edhe 5 mandate tjera për formimin e Qeverisë. BDI ka fituar 15 mandate dhe se me koalicionimin me VMRO-DPMNE do të kenë si koalicion 71 vende deputetësh. LSDM ka fituar 42 deputetë, PDSH 8 deputetë dhe RDK 2 deputetë.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment