Shqipëria nuk po keqpërdor liberalizimin e vizave

Qytetarët shqiptarë nuk kanë abuzuar me regjimin e vizave, pasi kanë ruajtur të njëjtat ritme të aplikimit për azil, krahasuar me periudhën përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Kështu ka deklaruar shefja e njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të KE, Marta Garcia Fidalgo, gjatë takimit përgatitor të delegacionit për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian në Bruksel. Komisioni Evropian ka diskutuar edhe për qëndrimin që do të mbajë gjatë raport- progresit për Shqipërinë, që do të publikohet në 12 tetor.

Pjese e veçantë e këtij raporti do të jetë situata pas-zgjedhore në Shqipëri. Fidalgo tha se “është e rëndësishme që tani procesi i ankesave të bëhet në qetësi, në respekt të rregullave institucionale”.

Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së diskutoi propozimin e fundit të Komisionit Evropian, për ndryshimin e rregullores për vizat, me qëllim ndëshkimin e vendeve që abuzojnë.

Komisionerja, Cecilia Malmstrom, u shpreh se ishte diskutuar vetëm pezullimi si proces, e jo për rikthimin e regjimit të vizave tek vendet specifike, që u përmenden me shqetësim nga disa vende anëtare gjatë takimit, por askush nuk kërkoi pezullimin e regjimit të lirë me to, siç tha ajo.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment