Shfrytëzimi i fëmijëve, ulet numri i fëmijëve që punojnë

Shfrytëzimi i fëmijëve për punë është një nga problemet sociale që shqetësojnë mbarë botën. Organizata Ndërkombëtare e Punës në studimin më të fundit bën me dije se janë 115 milionë fëmijë në të gjithë botën, të përfshirë në punë të rrezikshme.
Sipas organizatës këto punë rrezikojnë sigurinë e shëndetit apo moralit të fëmijëve si përsa i përket natyrës së punës aq edhe për rrethanave në të cilat kryen.

Duke iu referuar të dhënave të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, në Shqipëri vihet re një tendencë në rënie e numrit të fëmijëve që punojnë, ku gjatë vitit 2011 nga inspektimet janë identifikuar 70 fëmijë që punojnë, nga 348 fëmijë të evidentuar gjatë vitit 2010.

Kjo çështje me rëndësi jetike në rritjen e fëmijëve dhe për mbrojtjen e tyre nga format më të këqija të punës ka mbledhur bashkë në një tryezë përfaqësuesit e qeverisë, sindikatat dhe shoqërinë civile.

Konferenca u zhvillua në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Punës së Fëmijëve, që përkujtohet në mbarë botën më 12 Qershor.

Në konferencën e ndërmarrë nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sindikatat e arsimit dhe agjencia e OKB-së për fëmijët –UNICEF në Tiranë, u theksua se duhen ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë dhe institucional për eleminimin e fenomenit të punës së fëmijëve dhe formave më të këqia të tij.

Zëvendësministrja e Punës, Filloreta Kodra tha se “Në zbatim të programit të Qeverisë 2009-2013 dhe në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Fëmijëve, Ministria e Punës ka ndërmarrë një sërë inisiativash dhe përmirësime të rëndësishme në fushën ligjore, të cilat mbrojnë në mënyrë të veçantë këtë kategori fëmijësh”.

Sipas saj miratimi i Ligjit “Për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës” në vitin 2010, shënoi një arritje të rëndësishme në këtë fushë, duke parashikuar edhe mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe nga çdo lloj forme e punës që paraqet rreziqe, cënon edukimin, dëmton shëndetin dhe zhvillimin e tij.

Ajo lajmëroi se ka nisur puna për rishikimin e Strategjisë Kombëtare për Fëmijët dhe Planin e Veprimit, në të cilin do të përcaktohen edhe hapat që do të ndërmerren edhe për mbrojtjen e fëmijëve nga puna.

Duke iu referuar shifrave, Kodra tha se shifrat në rënie të shfrytëzimit të punës së fëmijëve tregojnë qartë që Qeveria shqiptare është në rrugë e duhur në drejtim të parandalimit të këtij fenomeni, edhe pse për ta zhdukur tërësisht nevojitet punë dhe kontribut i madh nga të gjithë aktorët.

Ndërkaq përfaqësuesit e tjerë vunë në dukje se arritja e objektivit madhor për eleminimin e punës së fëmijëve kërkon intensifikimin e përpjekjeve dhe bashkëpunimin midis të gjithë aktorëve, duke synuar jo vetëm luftën ndaj këtij fenomeni, por edhe integrimin e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre në jetën sociale.

Lëvizjes botërore për eleminimin e formave më të rrezikshme të punës së fëmijëve i është bashkuar edhe Shqipëria dhe vitet e fundit qeveria ka ndërmarrë dhe po ndërmerr masa konkrete për mbrojtjen e fëmijëve nga puna.
(www.noa.al)

No comments:

Post a Comment