Serwer: Kufijtë kanë sjellë histori luftërash

Drejtuesi i Institutit Amerikan për Paqen, Daniel Serwer është shprehur kundër ideve për Shqipërinë e Madhe dhe për ndarjen e Kosovës.

Ai ka thënë se në të kaluarën ndarjet e kufijve kanë sjellë histori luftërash, të cilat sipas tij nuk duhet të përsëriten.

“Nuk jam i sigurt nëse do të kishte luftë, por mund të them që historia e ndarjeve të tilla etno-territoriale është histori luftërash. Disa njerëz më thonë se evropianët kanë krijuar shtetet e tyre kombëtare; francezët janë francezë, italianët italianë. Është e vërtetë që i kanë krijuar shtetet e tyre, por vetëm pas shumë luftërash”, ka pohuar Serwer, në një intervistë për RTK-në.

Sipas tij, ripërcaktimi i kufijve do të kishte efekte anësore në të gjithë rajonin, pasi jo të gjithë do të binin dakord me hartën e re.

“Tani jemi në shekullin e 21-të dhe ne mundohemi që të mos i bëjmë gjërat përmes luftërave. Por, kur fillon të vizatosh vija të reja në hartë, është shumë e vështirë që çdokush të pajtohet me to. Më mirë të mbahen vijat aty ku janë dhe të ndryshohet statusi i disa kufijve, siç edhe është bërë në rastin e Kosovës”, ka thënë Serwer. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment