Sektori bankar humbësi më i madh në bursat evropiane

Aksionet në bursat evropiane të enjten janë dobësuar dukshëm, pasi që banka qendrore amerikane Fed ka ulur prognozën për rritjen ekonomike të SHBA-ve.
Fed dje njoftoi se këtë vit pritet rritje e ekonomisë amerikane prej 2,7 deri në 2,9 për qind, derisa në prill kishte prognozuar rritje prej 3,1 deri në 3,3 për qind, ndërkohë që janë ulur edhe vlerësimet për punësim.
Investuesit janë të brengosur për shkak se në fund të këtij muaji skadon programi i Fed-it për blerjen e obligimeve shtetërore në vlerë 600 miliardë dollarë, pavarësisht se ekonomia më e madhe botërore po përparon më ngadalë se sa që pritej.
Humbësi më i madh sot në bursat evropiane ishte sektori bankar, kurse minuse të dukshme, më shumë se pesë për qind, shënuan grupet Banco Bilbao, Banca Monte dei Paschi dhe Dexia.
Humbje shënoi edhe sektori i energjetikës, pasi që çmimi i naftës në Nju Jork shënoi rënie në nivelin më të ulët në katër muajt e fundit. Kompanitë Total dhe BP shënuan humbje secila prej mbi 1,5 për qind.
Indeksi FTSE 100 Londër ka rrëshqitur për 1,71 për qind, DAX Frankfurt ka shënuar rënie 1,77 për qind, CAC 40 Paris ka shënuar humbje 2,16 për qind.
Humbje të konsiderueshme ka edhe në indekset në Wall Street. Dow Jones Industrial Average është në minus 1,53 për qind, Standard & Poor’s 500 është në të kuqen 1,44 për qind, kurse Nasdaq Composite është në humbje 0,79 për qind.

(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment