Salihi, gati largimi nga Rapidi

Hamdi Salihi është drejt largimit nga Rapidi i Vjenës.
Sulmuesi shqiptar, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i klubit rekordmen në Austri, pritet të shitet në një skuadër të njohur europiane, për shumën e 1.5 milionë eurove. Lajmi që qarkullon prej disa javësh në mediat austriake, është konfirmuar zyrtarisht dje edhe nga vetë agjenti i lojtarit shkodran. Menaxheri i FIFA-s, Erkan Sulejmani, ka thënë për uebsajtin “sportnet.at” se disa klube janë të gatshme për të paguar Rapidin. “Vlera e lojtarit në treg është 1.5 milionë euro dhe nga negociatat që ne kemi bërë së fundmi, mund të them se janë disa klube që kanë shprehur gatishmërinë për të paguar këtë tarifë. Për momentin nuk mund të zbulojmë emra skuadrash, por janë të gjitha shanset që Salihi të kalojë në një klub shumë të njohur”, është shprehur Sulejmani. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka edhe një vit kontratë me Rapidin, në një kohë që në sezonin e fundit shkëlqeu, duke shënuar 18 gola, edhe pse në disa ndeshje është futur si zëvendësues. Nga sa mësohet, klube në Rusi dhe Ukrainë kanë më shumë se 1 vit që interesohen për shërbimet e Salihit. Megjithatë, nuk është e lehtë për të bindur Rapidin, i cili disponon kartonin e lojtarit. Për të mos dalë lojtari me parametra zero, klubi austriak kërkon të përfitojë nga shitja e tij. Merkatoja e verës do të jetë vendimtare për Salihin dhe në rast se Rapidi vendos ta mbajë, atëherë sulmuesit me siguri do t’i ofrohet rinovimi i kontratës.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment