Sa po ndikon kriza greke në Shqipëri?

Ekspertë të ekonomisë në Shqipëri shikojnë një sërë efektesh negative ,që mund të vijnë nga situata e krizës me të cilën po përballet aktualisht Greqia. Ulja e dërgesave për në vendlindje nga ana e emigrantëve shqiptarë, pritet të shoqërohet dhe me reduktimin e eksporteve, reduktimin e kredidhënies në sistemin bankar etj. Por disa prej treguesve negativë në Greqi, mund të shndërrohen në tregues pozitivë për Shqipërinë.

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Tiranë, Dr. Zef Preçi e mendon në tri plane ndikimin e krizës greke në ekonominë shqiptare. Së pari, efektet e krizës ekonomike botërore me efekt të përgjithshëm në BE, duke përfshirë e Greqinë, së dyti, në raportet e drejtpërdrejta greko – shqiptare dhe së fundi, në sjelljen e agjentëve brenda ekonomisë shqiptare.

“Sa i takon ndikimit të drejtpërdrejtë të krizës së ekonomisë greke mbi atë shqiptare, duhet të pranojmë pakësimin e të ardhurave që vijnë nga emigrantët shqiptarë që është evident; përkeqësimi i statusit të punëtorëve emigrantëve tashmë është evident, papunësia është shumë e lartë dhe në rritje; rritja e çmimeve në tregun grek ka bërë që të rriten çmimet e mallrave edhe në tregun shqiptar; nga ana tjetër një sërë ndërmarrjesh, të tipit “fasone”, që kanë aktivitet në zonën juglindore ose jugore të Shqipërisë kanë humbur tregun në Greqi dhe tashmë janë zhvendosur”, thotë Preçi.

Ilir Barjaba, ekspert ekonomie, shikon të paktën katër efekte negative të krizës ekonomike në Greqi, që përcillen në ekonominë shqiptare. Greqia, sipas Barjabës, është partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë, ndaj dhe kjo pritet të ndikojë në volumin e eksporteve “made in Albania” për në territorin helen dhe e kundërta, veçanërisht në zonat kufitare. Së dyti, Greqia ka 1/3 e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Shqipëri, ndaj dhe kriza në atë vend i rrudhë ato. Ilir Barjaba, kujton si faktor negativ edhe rënien e dërgesave që vijnë nga emigrantët shqiptarë, që punojnë prej vitesh në territorin grek, në një kohë që numri i tyre arrin në qindra mijëra. Faktori i katërt që sjell kriza greke ka të bëjë me sistemin bankar, thotë Barjaba, duke theksuar argumentin se 1/3 e bankave në Shqipëri, zotërohen ose përfaqësohen nga bankat mëmë që janë në Greqi.

“Meqë kredidhënia në Greqi është në ulje kjo do të shoqërohet dhe me këtë tregues edhe në vendin tonë”, thotë ai.

Për Ilir Barjabën autoritetet shqiptare duhet ta “lexojnë me vëmendje” atë që ndodh në shtetin fqinj, siç thotë ai, për të amortizuar efektet, ose edhe për të shfrytëzuar aspekte që mund ti shndërrojë nga negative në pozitive.

“Për shembull, një i tillë është rikthimi në atdhe i emigrantëve shqiptarë që punojnë në Greqi. Duke qenë se ky rikthim do të jetë më shumë i përqendruar në zonat kufitare, atëherë është e rëndësishme që qeveria në këto zona për emigrantët të ofrojë lehtësira fiskale. Ata të nxiten për të krijuar biznese, mbase duke paguar gjysmën e tatimeve dhe detyrimeve të tjera tatimore. Kjo për qëllim për t'i trimëruar për të hapur biznese dhe për të kontribuar në ekonominë vendase. Në këtë mënyrë, nëse shteti i ndihmon ata të ndërtojnë biznese, atëherë ata jo vetëm që nuk bëhen barrë për shtetin nëpërmjet skemave sociale, por ata ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe të biznesit”, thekson Barjaba.

Zef Preçi përmend një tjetër aspekt që shndërrohet ne efekt pozitiv. Sipas tij, ka rënë deri në nivele modeste numri i punëtorëve sezonalë nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë, që angazhohen kryesisht në muajt e verës në tregun e punës në Greqi.

Kjo e detyron këtë fuqi punëtore që të mos shpërngulet, por të qëndrojë në vendlindje, duke kontribuar në punimin e tokës, apo në gjallërimin sektorit prodhues vendas.

“Gjithashtu edhe punëtorë të kualifikuar, duke humbur vendet e punës në Greqi, do të kthehen në Shqipëri si një kapital shumë i çmuar, duke përmirësuar cilësinë e produktit dhe të shërbimeve, kryesisht në hoteleri, restorante etj., në kushtet e terrenit shqiptar”, thotë Preçi.

Sipas Ilir Barjabës, autoritetet në Shqipëri duhet të analizojnë edhe faktorët që e kanë sjellë fqinj në këto momente të vështira, duke bërë analogjinë me fillimin e viteve 80-ta, kur qeveria greke u fokusua më shumë në infrastrukturën civile. Këtë Barjaba e shikon si një ngjashmëri me modelin që po ndiqet në Shqipëri në vitet e fundit.

“Greqia i arriti synimet, duke marrë huamarrje nga institucionet ndërkombëtare dhe nga bankat private. Por këto fonde shërbyen në pjesën më të madhe për ndërtimin e infrastrukturës, por duke lënë pas dore aspekte të tjera të ekonomisë. Pra, nuk ndikuan për një ekonomi të shëndetshme. Mbivendosja e investimeve në infrastrukturën civile në Shqipëri është një rast i ngjashëm, mendoj, sepse nuk është e drejtë që të lihen pas dore degë të tjera të ekonomisë, sidomos në drejtim të zonave industriale”, nënvizoi Barjaba.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment