Roman mbi fatin e njeriut

Fabula e romanit “Hotel Arbëria” të Mehmet Krajës konstruktohet mbi temën atdhetare, ku përcjellën ngjarjet që nga fillimi i përpjekjeve të para për liri.

Personazhi ideografik

Romani i Mehmet Krajës “Hotel Arbëria” radhitet në mesin e romaneve postmoderne, me temë fatin e njeriut. Kryepersonazhi Skënder Berisha, që në të njëjtën kohë merr rolin e personazhit ideografik (bartës i idesë), paraqet fatin e njeriut tragjik, i cili kërkon zbulimin e zhdukjes së mistershme të prindit (Qazim Berisha).

Skënder Berisha, bart mbi supe fatin e njeriut të pafajshëm, i cili e nis aventurën e tij kërkuese, për ta zbuluar arsyen e zhdukjes së prindit. Personazhi ideografik brenda romanit “Hotel Arbëria” konceptohet si misionar, i cili e nis rrugëtimin në kërkim të realitetit, kur në të shpeshtën e rasteve personazhi Skënder Berisha dhe personazhi i quajtur Unë, që ndonjëherë futet në fabul, bartin ide të njëjta bashkë me shumë të tjerë.

Si duket personazhi Unë, i shfaqur aty këtu, shkrihet apo fshihet pas kryepersonazhit Skënder Berisha, që në të njëjtën kohë ka funksionin kryesor në romanin në fjalë.
Personazhet në romanin e M. Krajës mund të cilësohen si personazhe me ide të mirëfillta dhe me një qasje në mënyrë dialoguese ndaj problemeve që dëshirojnë t’i zgjidhin në mënyrën më të mirë.

Për vetë faktin se me të dëgjuar një fjalë se i ati i tij gjendet në Shqipëri, misioni i Skënder Berishës bëhet kërkesë e domosdoshme në vete, duke u nisur në kërkim të tij.

Saga e udhëtimit

Udhëtimi i nisur për zbardhjen e fatit të Qazim Berishës të përkujton fjalën dhe amanetin e dhënë. Saga e udhëtimit brenda romanit në fjalë përshkruhet si një linjë e rrëfimit të narratorit që në të njëjtën kohë saga e udhëtimit bëhet fabul brenda romanit, që synon zbardhjen e fatit të Qazim Berishës.

Brenda romanit “Hotel Arbëria” të Mehmet Krajës, saga e udhëtimit zhvillohet në kuadër të përpjekjes së Skënder Berishës, i cili njëherësh është iniciatori i gjithë këtij udhëtimi me qëllim të arritjes së synimeve të tij. Saga e Skënder Berishës në roman sjell situata dhe debate të ndryshme, kur e gjithë përpjekja si duket has në veshë të shurdhër. Udhëtimi i nisur në roman, si duket, ka synime dhe qëllime të qarta, që ideja e gjetjes së Qazim Berishës të shkojë deri në fund.

Saga në roman merr një udhëtim të gjerë dhe të gjatë, duke mbledhur informacione për të atin Qazim Berisha, i cili një kohë sa kishte punuar arsimtar në një shkollë dihej se ku ishte, por si duket përndjekja e Qazim Berishës vjen si motiv i largimit të tij nga Kosova.

Në sagën në fjalë nuk del vetëm largimi nga Kosova por si duket Qazimin e ka përcjellë një fat i njëjtë edhe në Shqipëri, duke u shikuar me një dyshim që mund t’i sillte të njëjtat probleme si në Kosovë, që në fakt edhe atje pati disa intervista nga organet e drejtësisë që i kushtuan me largim nga vendi i punës për diku tjetër. Tanimë rruga e kërkimit të idealit kombëtar vetëm sa shkon e zgjerohet, kur në roman fillojnë të shfaqen rrethanat dhe aktivitetet hapur si psh: ngritja e studentëve në protestat e vitit ’81 etj.

Fati i njeriut

Romani në fjalë përcjell fatin e njeriut, i cili, pa dëshirën e tij, duhet t’i nënshtrohet fatit dhe në të njëjtën kohë vullnetit të të tjerëve. Fati i Qazim Berishës lidhet ngushtë në të njëjtën kohë me fatin e atdheut, sepse përndjekjet e vazhdueshme që i bëhen atij të kujton se është i lidhur me rrethanat dhe problemet politike në vend.
Kur themi fati i njeriut, këtu kemi parasysh fatin e Qazim Berishës, i cili mund të themi se ka një fat të rëndë dhe të vuajtur, ngase largimi i tij nga familja në drejtim të Shqipërisë të kujton fatin e gjithë intelektualëve që fillojnë të mos pajtohen me rrethanat shoqërore. Largimi i mistershëm i tij nga Kosova vjen në kohën kur fillojnë ndryshimet e para politike në vend. Fati i Qazimit, si duket, është pothuajse i njëjtë sikurse në Kosovë, sepse edhe atje fillojnë torturat shtetërore që kohë pas kohe thirret për intervistim, ku për pasojë e largojnë nga puna për ta dërguar në një ndërmarrje për të bërë punë krahu.

Në romanin “Hotel Arbëria” fati i Qazim Berishës dhe i shumë bashkëvendësve të tij përshkruhet dhe në të njëjtën kohë përjetohet pothuajse në të njëjtën mënyrë nga të gjithë.

Fati i Qazim Berishës, përmes fabulës së romanit, perceptohet me fatin e njëjtë që e kishte edhe në Kosovë.

Fabula e romanit “Hotel Arbëria”

Në romanin “Hotel Arbëria” të Mehmet Krajës, fabula brenda tij përshkruan gjithë pamjet dhe situatat që krijohen, por ajo që është karakteristikë në këtë roman, është se në pjesën më të madhe të fabulës, ajo zhvillohet përmes dialogut të qetë dhe në kërkim të informacioneve.

Mënyra e rrëfimit ndjek një linjë të njëtrajtshme kur fabula bëhet më e dendur se zakonisht, duke mos pasur shkëputje dhe ndërhyrje të shumta siç jemi mësuar të shohim zakonisht te romanet postmoderne. Fabula e romanit “Hotel Arbëria” të M. Krajës konstruktohet mbi temën atdhetare, ku përcjellën ngjarjet që nga fillimi i përpjekjeve të para për liri. Në fabul përshkruhet fati i brishtë i intelektualit kosovar, fat ky i cili do ta përcjellë në një të ardhme të shkurtë edhe pjesën tjetër të popullit. Fabula e romanit trajton fatin e popullit të Kosovës gjatë periudhë disavjeçare, deri në përfundim të luftës së armatosur në vitin ’99.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment