Ristani: Vendimi i Kolegjit, i drejtë e ligjor

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani, e cilësoi të drejtë dhe ligjor vendimin e marrë dy ditë më parë nga Kolegji Zgjedhor. Në një dalje të bërë dje në mesditë për mediat, Ristani tha se KQZ do të nisë menjëherë nga puna, sapo të zbardhet vendimi i Kolegjit. “Kolegji, me sa duket, por sigurisht na duhet ta shohim vendimin të arsyetuar, kërkon një hetim të mëtejshëm të çështjes. Duhet shkuar më tej me hapjen e kutive të tjera, të cilat nuk janë hapur nga KQZ. Një gjë është fakt, që KQZ u ka kërkuar me forcë partive politike që të sillnin çdo pretendim që ato kishin, sepse ne kemi pasur të gjithë vullnetin për ta bërë këtë punë dhe përpara se të urdhëronte Kolegji Zgjedhor, por më mirë akoma. Në këto kushte që jemi do të hapen të gjitha kutitë dhe do të merren të gjitha fletët që janë hedhur në kutitë e gabuara, që do të thotë janë të panumëruara për t’i tabuluar për kryesisht tabelën e kryetarit” u shpreh Ristani. Sipas kreut të KQZ-së, vendimi i Kolegjit Zgjedhor rikonfirmoi se procesi i ndërmarrë nga KQZ për rinumërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara ishte i drejtë e ligjor dhe se procesi në vazhdim është një hetim i mëtejshëm i çështjes. Kreu i KQZ sqaroi dhe procedurat si, kur dhe sa do të zgjasë procesi i numërimit.“Numërimi do të nisë me të marrë në dorë vendimin e arsyetuar të Kolegjit Zgjedhor. Numërimi do të zhvillohet në KQZ me grupe numëruesish të ngritur nga ky institucion dhe çdo procedurë do të jetë e hapur për median. Kohën se sa do të zgjasë s’mund ta parashikoj saktë, por mund të zgjasë rreth një javë”.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment