Rezultati për Tiranën Kolegji Zgjedhor zbardh sot vendimin

Kolegji Zgjedhor pritet të zbardhë sot vendimin e datës 3 qershor për pushimin e çështjes, që kishte si objekt kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte KQZ-në për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Neni 158, pika 6 e Kodit Elektoral sanksionon se "Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tri ditë nga data e dhënies së tij". Pikërisht sot, sapo juristët e Partisë Socialiste të marrin në dorë vendimin e zbardhur nga ana e gjyqtarëve të kolegjit, do të hartojnë për ta dorëzuar direkt ditën e martë padinë e re. Kjo është edhe mundësia e fundit në kolegj e socialistëve.

Ende nuk është qartësuar, nëse kjo padi do të ketë si objekt të saj rezultatin përfundimtar që doli pas vlerësimit të votave të hedhura gabim, apo nëse këtu do të flitet për mosrakordimet e shifrave mes votave të gjendura në kutitë e votimit dhe atyre personave që figurojnë në listat e zgjedhësve.

Nga ana tjetër, PS-ja do të dërgojë në kolegj për apelim edhe dy ankesat që rrëzoi KQZ-ja pak ditë më parë, për tabelën përmbledhëse të njësisë nr.49 dhe atë për tabelën e rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, do të nisin ndërkohë edhe negociatat me ndërkombëtarët, për t'i mëshuar idesë së asistencës ligjore nga Komisioni i Venecias. "Gazeta Shqiptare" duke iu referuar burimeve nga PS-ja bën të ditur se dita e sotme do të përcaktojë edhe ndonjë thirrje të forumeve, si Kryesia e partisë apo Asambleja Kombëtare, të cilat kanë kompetencën për të marrë vendime politike të një rëndësie të veçantë.
(balkanweb,com)

No comments:

Post a Comment