Raporti: Parqet arkeologjike, 6 nga 8 s’meritojnë të jenë

Asgjë nuk është e re për ekspertët shqiptarë, megjithatë, kur një i huaj i vë në dukje, duken ca si më të rënda.Me mbështetjen e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe PNUD-it, specialisti i njohur i arkeologjisë, prof. Sebastiano Tusa, ka bërë një studim mbi gjendjen e parqeve arkeologjike në Shqipëri. “Menaxhimi fiskal dhe struktura drejtuese e sistemit të parqeve arkeologjike në Shqipëri ka në vëmendje të veçantë: Parqet arkeologjike: Apoloni dhe Antigone”, titullohet raport-studimi, i cili vë gishtin në plagët e parqeve shqiptare. Ndërsa pretendojmë që ekonomia shqiptare të mbështetet fuqishëm në resurset turistike, ku trashëgimia kulturore ka një vend shumë të rëndësishëm, tabloja është dëshpëruese. Qysh në krye të këtij raporti, Tusa na bën me dije se nuk bëhet fjalë thjesht për një përshkrim të sistemit të parqeve arkeologjike, në gjendjen që ato janë sot,  por është një studim i thellë dhe i qartë i parqeve kryesore, ku trajtohen probleme që kushtëzojnë zhvillimin e frytshëm dhe korrekt të tyre drejt standardeve të mira kulturore dhe artistike. Dhe, mbështetur mbi këtë hulumtim, teksa pretendojmë të kemi plot 8 parqe arkeologjike, Tusa na thotë se faktikisht vetëm dy ia vlejnë të quhen të tillë, kurse të tjerët nuk i plotësojnë kushtet. “Aktualisht, përveç Butrintit dhe Apolonisë, parqet e tjera arkeologjike nuk mund të quhen të tilla, pasi aty mungojnë disa karakteristika të rëndësishme, shumë të nevojshme, siç janë sasia e mjaftueshme e monumenteve të zbuluara deri tani dhe të dukshme, akses i lehtë, facilitete turistike (kafe, restorante dyqane dhe mundësi akomodimi afër) si dhe mbështetja nga aktorët kryesorë”, thotë Tusa. Problematika që ai trajton është shumë e gjerë, duke filluar që nga legjislacioni, Ligji për trashëgiminë, që sipas tij ka nevojë për një thjeshtëzim, sqarimi i kompetencave të parqeve, kuaktualisht vihet re një mbivendosje e që, për ekspertin, shkakton kaos dhe harxhon kohë dhe energji të panevojshme. Një çështje therëse është ajo e punonjësve të këtyre parqeve, të cilët nuk i plotësojnë standardet dhe jo rrallë herë nuk kanë kualifikimin e duhur për pozicionin që ata mbajnë. Problematike është çështja e konservimeve të monumenteve, mungesa e të cilave rrezikojnë seriozisht jetëgjatësinë e tyre. “Stabiliteti i disa monumenteve është në rrezik, po kështu edhe qëndrueshmëria e disa strukturave. Erozioni nga era dhe shiu është një rrezik i madh, që ndikon negativisht në një numër të madh monumentesh në parqet arkeologjike”, thekson Tusa. Nëse flasim për shërbime, atëherë çështja është e humbur. Mungon infrastruktura dhe lehtësirat e tjera që i duhen ofruar një turisti, duke filluar që nga një bar-kafe, një restorant, një dyqan suveniresh etj., për ta bërë edhe më të këndshme vizitën në këto qendra arkeologjike.
 Sebastiano Tusa


Problematika Parqe de jure:
Aktualisht, përveç Butrintit dhe Apolonisë, parqet e tjera arkeologjike nuk mund të quhen të tilla, pasi aty mungojnë disa karakteristika të rëndësishme, shumë të nevojshme, siç janë sasia e mjaftueshme e monumenteve të zbuluara deri tani dhe të dukshme, akses i lehtë, facilitete turistike (kafe, restorante dyqane dhe mundësi akomodimi afër) si dhe mbështetja nga aktorët kryesorë… Cilësia e shërbimeve brenda parqeve arkeologjike ka nevojë për përmirësim. Cilësia duhet monitoruar duke ushtruar kontrolle të shpeshta cilësie, që mund të kryhen nga agjenci të tjera. Duhet që biletat të jenë elektronike, në mënyrë që të shmangen abuzimet dhe të sigurohen statistika të shpejta dhe korrekte për frekuencën e vizitorëve.

Kompetencat:
Parqet arkeologjike po vuajnë nga mbivendosja e kompetencave. Në rastin e Apolonisë, ka një mbivendosje kompetencash midis institucioneve publike që merren me këtë park arkeologjik, edhe pse Apolonia në dukje është një park arkeologjik autonom. Entet publike të përfshira në vendimmarrje janë: MTKRS (nëpërmjet Bordit Kombëtar të Parqeve Arkeologjike, Drejtorisë së Trashëgimisë Kombëtare, Institutit të Monumenteve, Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës dhe Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike), Ministria e Arsimit dhe Shkencës (përmes Institutit të Arkeologjisë). Kjo situatë krijon konfuzion, konflikte dhe humbje kohe, energjish dhe burimesh.
Ligji:
Duhet thjeshtëzuar edhe Ligji për “Trashëgiminë Kulturore” dhe të bëhet një disiplinim më i mirë i këtij aktiviteti në përgjithësi. Ka një konflikt aktual mes rregulloreve për parqet arkeologjike dhe disiplinës urbane, e cila është kompetencë e bashkive. Do të ishte më mirë që brenda territoreve të parqeve arkeologjike e vetmja rregullore të ishte ajo e parkut. Me fjalë të tjera, Zyrat e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike duhet të kenë prioritet për të kontrolluar territorin nën juridiksionin e vet dhe, për pasojë, për të mbrojtur atë territor nga ndërtimet pa leje.
Stafi i punonjësve:
Për sa i përket burimeve njerëzore, në disa raste (pothuaj 20-30%) në pozicionet që kërkojnë një nivel shkencor dhe administrativ më të lartë, punësohen njerëz pa kualifikimin e duhur, kur ndërkohë ka shumë personel ekzekutiv me një profil të lartë profesional. Është e nevojshme që profili profesional i pozicioneve të ndryshme të respektohet në përzgjedhjet e ardhshme. Duke qenë se ka një mospërputhje të madhe në nivelin e njohurive që kanë njerëzit që punojnë në parqet arkeologjike, duhet që me përzgjedhje të mençur dhe të qartë punonjësit aktualë të parqeve të trajnohen intensivisht në drejtime të tilla si: menaxhim, menaxhim risku, administrim, aspekte ligjore, kontroll cilësie, gjuhë të huaja, teknika komunikimi, marrëdhënie me publikun etj.
Secili park duhet të ketë një staf minimal të përbërë nga të paktën 2 arkeologë, një arkitekt, një ekspert administrimi, një ekspert në ligjin territorial, dy konservues, një restaurues, një person për marrëdhëniet me publikun, roje në proporcion me madhësinë e parkut dhe punëtorë të dedikuar për kontrollin e vegjetacionit, numri i të cilëve duhet të varet nga hapësira e parkut. Situata aktuale e përbërjes dhe kualifikimi i stafit është shumë poshtë këtij standardi.
Konservimi:
Në parqet arkeologjike shqiptare intensiteti i aktivitetit konservues është i ulët si nga pikëpamja sasiore, ashtu edhe cilësore. Ka pak ndërhyrje konservuese dhe, ato që kryhen, janë të izoluara dhe të shpërndara aty-këtu. Pjesa më e madhe e zonave arkeologjike ka nevojë për aktivitet konservues sistematik. Konservim do të thotë fonde dhe kjo mund të përbëjë problem për buxhetin aktual. Stabiliteti i disa monumenteve është në rrezik, po kështu edhe qëndrueshmëria e disa strukturave. Erozioni nga era dhe shiu është një rrezik i madh që ndikon negativisht në një numër të madh monumentesh në parqet arkeologjike. Mozaikët nuk janë vizibël, pasi ato mbahen të mbuluara për të evituar shkatërrimin e tyre.
Bimësia:
Një nga rreziqet kryesore për një zonë arkeologjike është edhe bimësia që rritet mbi dhe në mes të monumenteve të lashta (mes blloqeve që formojnë murin, brenda suvatimit, mes mozaikëve, kalldrëmeve etj). Mënyra tradicionale për të hequr këto bimë është prerja e tyre nga rrënjët apo edhe më keq) shkulja e tyre, e cila dëmton monumentet, duke qenë se rrënjët e tyre nganjëherë janë aq të thella sa lëvizin edhe gurët dhe shumë më lehtë suvanë apo kalldrëmin. Sot në botë, për të hequr bimët nga parqet arkeologjike përdoren produkte të ndryshme që bazohen në veprimin e glizofatit (herbicid sterilizues).
(www.ama-news.al)

No comments:

Post a Comment