Rama: Kolegji vërtetoi se nuk është i paanshëm, do vijojmë rrugën ligjore

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me shkeljen e Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk ka zbardhur vendimin për rrëzimin e kërkesës së PS-së për Tiranën. Rama tha se ky veprim tregon se Kolegji në asnjë moment nuk ka qenë i paanshëm. Ai ka thënë se PS do të vazhdojë rrugën ligjore, por sipas tij, askush nuk duhet ta çojë në mendje se mund të vjedhë fitoren e Tiranës në rrugë ligjore. Kreu i opozitës tha se të gjithë do të mbajnë përgjegjësi herët ose vonë për këtë manipulim të pastër për Tiranën. Ai kërkoi sërish ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, sa nuk është vonë.

“Kolegji ka legjitimuar vendimin e paligjshëm të KQZ-së dhe ky Kolegj nuk ka marrë mundimin ta shpjegojë këtë vendim, edhe pse ligji e detyron që ta bëjë këtë gjë brenda tre ditëve. Sot, pas atij vendimi që bie ndesh me Kushtetutën, ne ndeshemi me një shkelje të ligjit nga vetë gjykatësit e vendosur për të bërë drejtësi. Saliu është ai që e ka bërë gjithë këtë maskaradë. Fitorja jonë na mundëson që të jemi plotësisht të kthjellët. Produkti i neveritshëm i ndërhyrjes së neveritshme të KQZ-së, ku ka mospërputhje mes votave dhe numrit të kutive, tregon atë që ka ndodhur në Tiranë. Qendrimi i qartë i ODHIR dhe ndërkombëtarëve, është në përputhje me qendrimin tonë. Rregullat nuk mund të ndryshohen në mes të rrugës dhe këtë e thotë edhe Gjykata Supreme e Amerikës, së cilës Saliu ka dëshirë t’i referohet. Përsëris sërish apelin për ndërkombëtarët që të ndërhyjnë urgjentisht për një çështje kaq të rëndësishme, e cila mund të kthehet në një minë me sahat për vendin. Ne sot depozituam një padi tjetër për të drejtën dhe do të kërkojmë këtë të drejtë deri në fund në rrugë ligjore. Por, askush mos të mendojë se mund ta mbyllë këtë vjedhje në rrugë ligjore. Saliu do me çdo kusht që ta fitojë Tiranën, të cilën asnjëherë nuk e ka marrë pa vjedhjen e votave. Por, të gjitha ata që e kanë ndihmuar për këtë vjedhje, herët ose vonë do të përgjigjen para ligjit. Kolegji ka dhënë një vendim që ne nuk e pranojmë dhe me zvarritjen e zbardhjes së vendimit, tregon që kjo trupë nuk është e paanshme”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment