PS feston 20-vjetorin pa liderin historik Fatos Nano.

Pas pak pritet të nisë festa për 20-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.
Jo për rastësi, në 20-vjetorin e themelimit të partisë më të madhe opozitare nuk është ftuar të marrë pjesë lideri historik i saj, themeluesi i PS-së, Fatos Nano.

Ishte Nano ai që në 12 qershorin e vitit 1991 do t’i ndërronte emrin dhe fytyrën ish-Partisë së Punës, partisë mëmë, duke themeluar partinë e re, atë Socialiste, që do të ecte mandej nën hapat e socialistëve europianë.

Por, përvjetori i 20-të i PS-së vjen në një moment të veçantë për socialistët, pasi fati i betejës për Tiranën pritet të zgjidhet nesër nga Kolegji Zgjedhor.

Pas tre mandatesh të fituara me shumicë votash në kryeqytet, lideri i PS-së Edi Rama përballet me një sfidë të vështirë për të, që pritet të zgjidhet nga Kolegji.

E duke iu kthyer festës së socialistëve e organizuar nën kujdesin e kreut aktual të PS-së Edi Rama janë ftuar rreth 800 persona, por jo Fatos Nano, e as ish-kryeministri socialist Ilir Meta, një nga themeluesit e PS-së, i cili krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim pas mosmarrëveshjeve të atëhershme me liderin historik Fatos Nano.

“Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, kam kënaqësinë t’ju ftoj në ceremoninë festive, që do të organizohet ditën e diel, më datë 12 qershor, ora 19:00, në hotel “Sheraton”, është mbishkrimi i ftesës së kryesocialistit Rama për 20-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, një përvjetor ku përtej kritikave nuk mund të linte jashtë përkujtimit liderin historik të saj, Fatos Nano.

Po t’i kthehemi rrugëtimit politik në ngjitje të Edi Ramës, nuk mund të mos theksojmë se ishte Fatos Nano ai që e ftoi dhe e mbështeti fuqishëm piktorin Edi Rama të bëhej pjesë e politikës, fillimisht si ministër i Kulturës në ’98-ën, mandej si kandidati i PS-ë për kryebashkiak në Tiranë në vitin 2000 e më pas si anëtar i Partisë Socialiste.

Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare nga PS e drejtuar nga Fatos Nano në vitin 2005, që risollën në pushtet pas 8 vitesh Sali Berishën, Edi Rama do të fitonte zgjedhjet brenda partisë duke u bërë lideri i ri i Partisë Socialiste, një post që e mban prej 6 vitesh.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment