Prodhimi vendas, me çmime të larta

Për biznesin në vendin tonë po bëhet gjithnjë e më i vështirë aktiviteti, pasi kostot për nxjerrjen e produktit rriten çdo tremujor.

INSTAT-i konfirmoi dje, se në tremujorin e parë të vitit 2011, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 111.8 për qind, duke shënuar një rritje prej 1.0 për qind kundrejt tremujorit të katërt 2010.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është +3.1 për qind, pra me rritje në krahasim me 2010-n. Industria nxjerrëse shënoi një rritje prej 3.2 për qind.

Këtu INSTAT-i përmend rritjen e çmimeve të produkteve në aktivitetet “nxjerrja e produkteve energjetike” me 3.6 për qind dhe “nxjerrja e produkteve jo energjetike” me 1.5 për qind.

Edhe indeksi i çmimeve të prodhimit në degën “industri përpunuese” shënoi rritje me 1.3 për qind.

Brenda saj mund të përmendim rritjen e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: “industria ushqimore” me 2.5 për qind, “industria tekstile dhe e veshjeve” me 0.6 për qind, “fabrikimi i mobilieve dhe shërbime të tjera” me 5.3 për qind.

Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 110.2 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2010.

Këtu veçohet rritja e çmimeve në degën “industri nxjerrëse” me 3.5 për qind. Indeksi i çmimeve të eksportit (viti 2005 = 100) arriti 117.9 për qind, duke shënuar një rritje prej 2.1 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, sidomos në industrinë nxjerrëse, e cila u rrit me 2.3 për qind dhe atë përpunuese me kosto plus 2.5 për qind.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment