Privatizimet, qeveria, tender për licencën “3G” dhe “INSIG”

Valës së privatizimeve iu shtua dje në mënyrë të befasishme edhe licenca e dytë “3G” për operatorët e telefonisë së lëvizshme.Ministra e Inovacionit njoftoi dje se i është dhënë autorizimi AKEP, për hapjen e tenderit dhe shitjen e kësaj të drejte. “Çmimi dysheme i kësaj gare është 12.5 milionë euro dhe kushtet ligjore e teknike janë po ato të garës për licencën e parë “3G”, që u hap në vjeshtë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Kur “Vodafone” bleu pak muaj më parë me një çmim rekord prej 31.4 milionë eurosh licencën e parë të shërbimit, “3G” u mendua se do të kalonte pak më shumë kohë deri në hapjen tenderit për licencën e dytë. Por qeveria dje e justifikoi me konkurrencën në treg, hapjen e tenderit kaq shpejt. Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë nga kompanitë celulare sjell një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në telefonat e pajisjet celulare dhe rrit shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate. Duke vlerësuar hapjen e garës nga ministri Pollo, kreu i qeverisë në mbledhjen e djeshme kërkoi që kompanitë të ulin çmimin e mesazheve në celularë. “Licenca tjetër “3G” do të ndikojë shumë pozitivisht në çmimet, në shërbimet dhe në shfrytëzimin e të gjitha potencialeve që ofron lundrimi në internet. Me kompanitë celulare, marrëdhëniet janë shumë të mira, por presim një qëndrim të ri ndaj sms-ve, sepse tarifat janë ende për t’u ulur me tutje”. Por, dje, qeveria ndryshoi ligjin për privatizimin e INSIG. Ndryshe nga më parë, kur privatizimi ishte kusht për një kompani të huaj, tani, me ndryshimin e ri mund të privatizohet edhe nga kompani vendëse. Në vendimin djeshëm, shprehja “…në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar….” zëvendësohet me shprehjen “…në tregun kombëtar dhe/ose ndërkombëtar”. Pra ka shumë mundësi që INSIG të blihet nga një nga kompanitë që aktualisht janë në tregun vendas, pra kanë aktivitet sigurimesh ose të ngjashëm me të në tregun kombëtar ose ndërkombëtar. Privatizimi i INSIG ka vite që dështon. Herët e fundit të anulimit iu vu faji krizës financiare. Sidoqoftë, ndryshimi i ligjit ndodhi pasi ka sinjale pozitive për shitjen. Duhet thënë se të gjithë privatizimet po ngjeshen në një kohë shumë të shkurtër, për shkak se qeveria ka pranuar edhe zyrtarisht se të ardhurat në buxhet nuk po i përshtaten shpenzimeve. Pra, buxheti ka nevojë për para shtesë.

12.5 milione euro
është çmimi dysheme për dhënien e licencës “3G” kompanive celulare. Në tenderin e fundit, “Vodafone” ofroi 31.4 milionë euro

Mbyllet buxheti 2010, borxhi 380 milionë USD

Për të treguar që buxheti këtë vit është keq për para, mjafton të krahasosh shifrat e deficitit me vitin e kaluar. Dje, qeveria miratoi mbylljen përfundimtare të buxhetit të vitit të kaluar. Në vendim thuhet se deficit për të gjithë 2010, një vit jo elektoral, ishte 38 miliardë lekë ose 380 milionë USD. Këtë vit, vetëm për 4 muaj, qeveria raporton 15.9 ose rreth 160 milionë USD mungesë të ardhurash. Me një ritëm të tillë, deficit 12 mujor, duhet të jetë rreth 480 milionë USD. Kuptohet që, llogaria nuk bëhet në këtë mënyrë, pasi gjatë muajve deficit ndryshon me planin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Kështu, vitin e kaluar, në 4 muaj deficiti ishte vetëm 120 milionë, ndërkohë që për 8 muajt e tjetër arriti në 380 milionë USD. Gazeta boton tabelën me shifrat si u financua ky deficit, pra nga u morën paratë.

Buxheti

Të ardhurat
366.893 milionë lekë

Shpenzimet
404.924 milionë lekë

Deficiti
38.031 milionë lekë
I brendshëm
27.819 milionë lekë
I jashtëm
10.212 milionë lekë

(panoram.com.al)

No comments:

Post a Comment