Prishtina fiton titullin e gjashtë rresht

 
Sigal Prishtina ka vazhduar dominimin në basketbollin kosovar. Prishtina të shtunën mbrëma ka fituar titullin e gjashtë rresht të kampionit të Kosovës. Skuadra e kaltër mposhti Pejën me rezultatin 104:70 për të siguruar titullin për edicionin 2010\2011. Prishtina kishte fituar edhe dy takimet e para të serisë finale dhe pa ndonjë vështirësi të madhe erdhi deri te titulli i tetë i pasluftës. Skuadra e drejtuar nga Arben Krasniqi ka dominuar gjatë tërë kampionatit. Edicionin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë. Në gjysmëfinale mposhti Trepçën me rezultatin 2:0.
Më efikasi te kampionia në takimin e tretë final të plejofit ishte organizatori Fahri Breca me 15 pikë të shënuara. Me pikë dyshifrore kontribuuan edhe Granit Rugova (13), Blerim Mazreku (12), Besnik Podvorica (12) e Timothy Burnette (11).
"E kemi ditur se do ta fitojmë ndeshjen e tretë pa vështirësi, pasi Peja ishte e hendikepuar. Te skuadra jonë u inkuadruan të gjithë basketbollistët për të dhënë kontributin e tyre në këtë fitore që solli titullin e kampionit për t'iu revanshuar Pejës për humbjen në finalen e Kupës. Ky titull është shumë i veçantë për mua dhe ia dedikoj familjes, në veçanti gruas sime, pasi së shpejti do të bëhem baba", tha kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi. Ai ndeshjen e mbylli me dhjetë pikë, tri kërcime e katër asistime.
Te skuadra e Pejës vetëm dy basketbollistë ndeshjen e përfunduan me pikë dyshifrore. Valdet Grapci ishte më i dalluari me 14 pikë, kurse Rron Grapci realizoi 13 pikë e tetë kërcime.
"Ia uroj Prishtinës titullin e kampionit që e ka merituar plotësisht pasi ka punuar intensivisht gjatë tërë vitit", tha shkurt trajneri pejan Bujar Loci.
Skuadra e Pejës në këtë ndeshje u paraqit vetëm me basketbollistë vendës. Munguan Samir Shaptahoviq e Justin Dobbins, të liruar për shkak të lëndimeve, ndërsa Demarius Bolds u largua në mesjavë pas skadimit të kontratës.
Peja, më herët në këtë edicion ka fituar trofeun e Kupës së Kosovës kur në finale mposhti pikërisht Sigal Prishtinën.

(24-ore.net)

No comments:

Post a Comment