Pranga pesë autorëve të shpërthimit të shtyllës 220 KW pranë fabrikës së çimentos

Shpërthimi me eksploziv i shtyllës së tensionit të lartë e shpërthime të tjera në një kohë të shkurtër pranë fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë ka hedhur nën prangat e policisë pesë persona përgjegjës për ngjarjet.
Pas hetimeve për shpërthimet e përsëritura policia e Durrësit ka arrestuar si autorë të ngjarjeve 54-vjeçarin Bashkim Zalla, banues në fshatin Zallë të Fushë Krujës, i denuar për vrasje, të birin e tij Edvin Bashkim Zalla, 31 vjeç, banues në fshatin Zallë; 26-vjeçarin Fredjon Zalla, i akuzuar më parë për mbajtje pa leje të armeve e municioneve luftarake; Afrim Xhixhën 35 vjeç, banues në fshatin Nikël të Fushë Krujë dhe Xhabir Vellku, 37 vjeç, banues në fshatin Budull.

Pesë të arrestuarit kanë gisht në shpërthimet e ndodhura në në 21.04.2011, ku në murin rrethues të fabrikës së çimentos ishte vendosur lëndë eksplozive, që shkaktoi dëmtimin e pjesshëm të këtij muri; në ngjarjen e 24.03.2011 ku në kodrën e fshatit Kadias të rrethit Krujë, është shkatërruar me eksploziv shtylla me Nr.13 e tensionit të lartë që furnizon me energji elektrike Fabrikën e vjetër të Çimentos në fshatin Zallë të Fushë Krujës; në ngjarjen e 08.04.2011, ku në orën 08.30, në fshatin Bubq, u hodh në erë ura ku kalon linja hekurudhore që shkon tek Fabrika e vjetër e çimentos së Fushë Krujës; në ngjarjen e datës 05.05.2011, u u shkatërrua me eksploziv muri rrethues i fabrikës së çimentos; në ngjarjen e datës 19.05.2011 ku u shpërthye ura e fshatit Bardhar, ku kalojnë automjetet e fabrikës së çimentos; në shpërthimin në datën 08.06.2011, të njërës prej shtyllave në fshatin Lekas; si dhe në shpërthimin e pjesshëm të urës së fshatit Zallë në Fushë-Krujë.

Policia e qarkut të Durrësit po punon për identifikimin e personave të tjerë të lidhur me këto ngjarje kriminale.
(www.noa.al)

No comments:

Post a Comment