Politikani shqiptar i basteve: Fratinit i kërkoja mbështetjen e qeverisë shqiptare

Shqiptari që trukonte ndeshjet e kampionatit italian dëshmon se ishte si politikan “mblesës” tek qeveria “Berluskoni” për të mbështetur qeverinë shqiptare të djathtë të kryeministrit Sali Berisha.
Për këtë punë Ismet Mehmeti, kryetar i Partisë Lidhja e Bashkuar Shqiptare (Lega Albanese), takonte shpesh politikanë të djathtë italianë dhe madje ministrin e Jashtëm, Franco Frattini. Vetë ministri ka mohuar të jetë pjesë e basteve dhe skandalit, apo të kishte biseduar dhe takuar Mehmetin. Por 53-vjeçari nga Peqini këmbëngul se jo vetëm e njeh Frattinin, por edhe e ka takuar dhe biseduar për politikën dhe marrëdhëniet mes partive të djathta e qeverive të dy vendeve.

Prokuroria e Ravenës ka zbardhur pjesë nga dëshmia e politikanit shqiptar që ka kandiduar disa herë për deputet në Durrës dhe ka qenë aleat në koalicionin “Aleanca për Qytetarin” në zgjedhjet lokale të 8 majit. “E kam takuar dhe biseduar me ministrin Franco Frattini, por jo për baste dhe trukime, vetëm për politikë të madhe dhe mbështetje të partive të djathta në Shqipëri dhe qeverisë”, ka thënë Mehmeti para prokurorëve në prezencë të avokatëve.

(www.ama-news.al)

No comments:

Post a Comment