“Philips” shqetëson investuesit evropianë

Aksionet në bursat evropiane të mërkurën janë dobësuar, pasi investuesit kanë marrë lajme të këqija nga gjiganti teknologjik “Philips”.
Prodhuesi holandez ka bërë të ditur se po shënon rezultate të dobëta në disa segmente të afarizmit, për shkak të të cilit do të jetë i detyruar në ashpërsimin e masave të kursimit.
Aksionet e kësaj kompanie janë përmbyllur sot në Amsterdam me rënie prej më shumë se 10 për qind. Rënia e ashpër e “Philips” ka ndikuar negativisht në aksionet e kompanive si “Siemens” dhe “Electrolux”.
Në mesin e humbësve më të mëdhenj është gjetur edhe zinxhiri suedez i modës “Hennes & Mauritz”, i cili është dobësuar rreth 2 për qind, pas raportimit për fitime më të ulëta tremujore se sa që ishte pritur.
Megjithatë, rënia e indekseve kryesore nuk ishte e madhe. FTSE 100 Londër është dobësuar 0,04 për qind, DAX Frankfurt 0,10 për qind, CAC 40 Paris 0,15 për qind.
Në tregjet amerikane, Standard & Poor’s 500 ka shënuar rritje 0,07 për qind, Nasdaq Composite është në plus 0,05 për qind, derisa Dow Jones Industrial Average ka rrëshqitur 0,03 për qind.



(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment