Përse shqiptarët janë të lodhur?

Përse në Shqipëri, janë të gjithë të lodhur. The Economist i rikthehet situatës në vendin tonë me një tjetër shkrim, këtë herë nga Tim Judah, korespondent për Ballkanin, që e nis artikullin e tij me përshkrimin e reagimit të një zyrtari të lartë të Bashkimit Europian, të cilit nuk ia përmend emrin, kur i thotë se po shkonte në Shqipëri.



Ai, rrëfen Judah, pëshpëriti dicka që s’mund ta them këtu dhe u largua, në dukje i acaruar edhe nga vetë zënia në gojë e emrit të këtij vendi.

Përse-ja, është e kuptueshme. Në 8 Maj Shqipëria zhvilloi zgjedhjet lokale. Një muaj më vonë, ende nuk e dimë cili është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Nëse shqiptarët nuk arrijnë dot të mbajnë as një palë zgjedhje lokale pa rrezikuar përcarjen, atëherë të mos presin asnjë lloj afeksioni nga Brukseli.

Ky sic thotë Judah, është mendimi i eurokratëve. Duke cituar zëvendesministren e Jashtme, Edit Harxhi, se këto zgjedhje në opinionin e qeverisë ishin më të mirat që janë mbajtur ndonjëherë dhe se nuk patën vecse ca probleme fare të vogla, tonet e një ironie të lehtë shpërfaqen, aq më tepër me vazhdimin e fjalisë që autori e vë mes kllapash: “socialistët e opozitës nuk pajtohen shumë me një vlerësim kaq rozë sa ky”.

Judah bën më pas një përmbledhje të shkurtër të asaj që ai e sheh si thelbin e gjithë historisë së zgjedhjeve në Tiranë, duke rreshtuar një sërë faktesh e në fund, edhe rezultatin paraprak, kur Edi Rama rezultoi në krye me 10 vota diferencë.

Pas kësaj, përmendet këmbëngulja e demokratëve për votat e hedhura në kutitë e gabuara dhe fakti që Lulzim Basha doli kësisoj përpara me 81 vota.

Rregullat, thotë Judah, nuk dukeshin aspak të qarta. Numëruesve u ishte thënë të mos i llogarisnin votat e hedhura gabimisht, por me sa duket në Kodin Zgjedhor nuk specifikohen raste të tilla. E ndërsa demokratët i shohin pretendimet e socialistëve si ndryshim të rregullave gjatë numërimit dhe ato të numrit të votave që rezultojnë më shumë se votuesit si një manipulim artificial, Rama nga ana tjetër, vazhdon artikulli, mendon se demokratët po e bëjnë ves vjedhjen e votave.

Rezultati i votimeve në Tiranë, përfundon Judah, të bën të mendosh se shqiptarët janë të ndarë kur vjen fjala tek kjo cështje. Cilido të bëhet kryetar bashkie i kryeqytetit, do të shihet si ilegjitim nga gjysma e banorëve të tij dhe ngërci i Shqipërisë do të vazhdojë.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment