Përjetë në Real Madrid

Cristiano Ronaldo nuk do të largohet kurrë nga Real Madridi. Ylli portugez thotë se do të ishte i gatshëm të nënshkruajë kontratë 10 vjeçare me madrilenët, duke hequr dorë nga milionat e ofruara nga Manchester City. 26 vjeçari e ka lavdëruar trajnerin Jose Mourinho, derisa ka folur edhe për objektivat e klubit.
Cristiano Ronaldo e ka konfirmuar dashurinë e thellë që ndien për Real Madridin. Ylli portugez hoqi dorë nga milionat e sheikëve të Manchester Cityt, për t’i mbetur besnik skuadrës madrilene.

Ish futbollisti i Manchester United, i cili iu bashkua ekipit ‘Merengues’ vitin që shkoi, thotë se do të ishte i gatshëm të mbetet në kryeqytetin spanjoll deri në fund të karrierës.

“Jam mirë këtu, do të nënshkruaja menjëherë edhe për 10 vjet, edhe pse diku tjetër do të mund të paguhesha dyfish”, deklaroi fillimisht portugezi në mikrofonin e ‘Cadena Cope’.

Ai i ka shpallur hapur ‘luftë’ Barcelonës, ndërsa flet edhe për objektivat tjerë të ‘Los Blancos’. “Sfida me Messin dhe Barcelonën nuk është e pamposhtur. Po ashtu, ta fitojmë Ligën e Kampionëve për herë të dhjetë nuk është një obsesion”, vazhdoi Ronaldo.

Përfaqësuesi portugez e lavdëroi edhe trajnerin Jose Mourinho, me të cilin ka nderin që punoi një sezon të plotë. Ai gjithashtu foli edhe për përforcimet që mund të arrijnë në Santiago Bernabeu dhe për lojtarët që veçse kanë arritur së fundmi.

“Mourinho është numër 1, është trajneri më i mirë në botë. Do më pëlqente që Adebayor të mbetet këtu. Aguero e Neymar janë lojtarë të mëdhenj, por edhe Fabio Coentrao do të ishte një blerje e mirë. Do t’i presim në mënyrën më të mirë të mundshme përforcimet Sahin, Altintop e Callejon”, përfundoi Ronaldo.

Ditë më parë, mediat angleze shkruanin se Manchester City është i gatshëm ta paguajë 23 milionë euro në vit ish futbollistin më të mirë në botë. Ndërsa Real Madrid nga shitja e tij do t’i përfitonte 170 milionë euro, duke u bërë kështu Ronaldo lojtari me rrogën më të madhe në histori të futbollit dhe duke e thyer primatin e vendosur pikërisht nga ai si lojtari më i shtrenjtë në rruzull.
(gazetaexpress.com)

 
 

No comments:

Post a Comment