Pasaardhësi i Skënderbeut viziton trojet e të parëve

Pasi vizitoi trojet e vendlindjes së të parëve të tij Kastriotë, në Dibrën e Madhe dhe Peshkopi, pasaardhësi i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti është pritur në një takim edhe nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.

Giorgio Maria Castriota Scanderbeg gjatë takimit shprehu përshtypjet mbresëlënëse nga vizita e tij në trojet e Kastriotëve, dhe i dorëzoi kryediplomatit Haxhinasto një dosje me dokumentet zyrtare të qeverisë italiane, ku dëshmohet prejardhja e tij prej heroit tonë kombëtar.

Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme vuri në dukje se heroi ynë kombëtar është një vlerë dhe simbol i përbashkët për gjithë shqiptarët.

“Promovimi i Skënderbeut është njëkohësisht promovim i vlerave tona kombëtare. Gjergj Kastriot Skënderbeu ka qenë një kalorës i kristianizmit, por dhe i vlerave evropiane”, theksoi ministri Haxhinasto.

Bashkëbiseduesit theksuan domosdoshmërinë e rritjes së përpjekjeve për rikthimin sa më të plotë në kujtesë të popullit italian të figurës së heroit kombëtar shqiptar dhe njëkohësisht heroit evropian, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Pasaardhësi i Skënderbeut, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg shoqërohej në këtë vizitë në Shqipëri nga bashkëshortja e tij Stefania Monachello.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment