Partia Socialiste: Kolegji vendosi mbi arsyetime politike. Ja shkeljet

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, që mbrojti para Kolegjit Zgjedhor padinë e bërë ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor për numërimin e votave në kutitë e gabuara, doli përpara medieve për të sqaruar arsyet se përse ky vendim është antiligjor dhe i motivuar politikisht.

Gjiknuri tha që në fillim se Kolegji e zbardhi qëllimisht vendimin me vonesë, duke shkelur hapur ligjin që e detyronte atë të bënte zbardhjen ditën e hënë. Gjiknuri tha se me qëllim është pritur që PS të depozitojë padinë e më pas të bëhet zbardhja e vendimit.

Gjiknuri tha se shkelja e parë është bërë kur Kolegji shkruan në arsyetimin e vendimit se KQZ këqyri të gjitha kutitë e votimit.

“Për shkak të praktikave të ndryshme të ndjekura nga ana e KZAZ-ve dhe mungesës së udhëzimeve apo rregullave të posaçme në manualet e punës së GNV-ve dhe KZAZ-ve, KQZ ka vendosur të këqyrë të gjitha kutitë e votimit dhe të vlerësojë fletët e votimit të hedhura aksidentalisht duke i përfshirë në rezultat,” thuhet në faqen 11 të vendimit të zbardhur nga Kolegji.

Por në të vërtetë, KQZ ka hapur vetëm 117 kuti në Tiranë, e jo të gjitha, siç thotë Kolegji.

Por shkelja më e rëndë sipas Gjiknurit është kur Kolegji i drejtohet nenit 45 të Kushtetutës, duke thënë se ai detyron KQZ-në të bëjë vlerësimin e votave.

“Kushtetuta e Shqipërisë që në nenin 45 të saj ka dhënë përcaktimin e votës dhe është detyrimi i Kushtetutës për vlerësimin e votës, që detyron KQZ jo vetëm të numërojë, por edhe të vlerësojë votat e zgjedhësve në arritjen e qëllimit final, sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor,” thuhet në vendimin e Kolegjit.

“Kjo është lajthitje me dashje ose padashje,” tha Gjiknuri. Por çfarë thotë neni 45 i Kushtetutës. “1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. 2. Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht. 3. Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur. 4. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Sipas Gjiknurit ky është një arsyetim krejtësisht politik, pasi përdoret shpesh nga kryeministri Sali Berisha. Sipas Gjiknurit, vota është procedurë në fund të fundit.

Gjiknuri tha se Kolegji mashtron kur thotë se pala paditëse, dmth PS, nuk paraqiti asnjë provë në lidhje me precedentët për numërimin e votave në kutitë e gabuara, ose për ndryshimin e rregullave të lojës.

“Nga pala paditësve në asnjë moment, megjithëse u pretendua, nuk u paraqit asnjë akt apo udhëzim shkresor i KQZ-së që ka rregulluar më parë një situatë të tillë, që të mund të provohej se u ndryshua me vendimin objekt gjykimi. Referimi i kësaj pale në nenin 123 të Kodit Zgjedhor është i gabuar pasi situata juridike nuk është pjesë e vlerësimit sipas kësaj dispozite. KQZ ka ushtruar kompetencat e një organi përmbledhës të të gjitha rezultateve dhe tabelave të paraqitura nga KZAZ-të e Tiranës, e kjo procedurë është kryer para kryerjes së detyrimeve të përcaktuara në nenin 123 të Kodit Zgjedhor,” thuhet në argumentimin e Kolegjit.

Gjiknuri tha se është një mashtrim që mund të provohet nga procesverbalet e seancës së asaj dite. Ai tha se janë paraqitur si provë deklaratat e ODIHR se numëruesit janë udhëzuar për t’i quajtur ato vota të pavlefshme. Po ashtu është prezantuar edhe precedenti i vitit 2007 që i njeh këto vota si të pavlefshme. Gjithashtu është paraqitur dhe një akt normativ i vetë KQZ që rregullon radhën e numërimit të kutive të votimit për të nxjerrë fillimisht rezultatin e kryebashkiakut.

Gjiknuri iu referua edhe një interviste të gjykatësit Tom Ndreca. “Tom Ndreca ka thënë se akti normativ i KQZ i shtrin efektet vetëm në Tiranë. Në arsyetim nuk gjejmë kund që të thuhet fjala akt normativ,” tha Gjiknuri. “Gjithsesi procesi vazhdon,” vijoi më tej ai.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment