Olsi Lafe: Asgjë e re, por do të përmirësohemi

Raporti i ekspertit italian Sebastiano Tusa nuk mund t’i lërë indiferentë drejtuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilët përgjigjen për mbarëvajtjen e parqeve arkeologjike.Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, pranë MTKRS-së, Olsi Lafe, thotë se ndonëse mendimet dhe sugjerimet e dhëna nga Tusa nuk përfaqësojnë mendimin e ndonjë institucioni të tipit UNESCO (ndonëse edhe thjeshtë fakti që është mbështetur financiarisht nga UNESCO dhe PNUD nuk është pak) ekspertët shqiptarë do t’i marrin në konsideratë dhe do të shqyrtojnë një për një sugjerimet e tij, me qëllim përmirësimin e punës në parqet arkeologjike.

Sapo është bërë publik një raport mbi gjendjen e parqeve arkeologjike në Shqipëri, që sipas ekspertit që e ka hartuar atë, lënë shumë për të dëshiruar, cili është qëndrimi juaj rreth këtyre rezultateve?
Ky është një projekt i realizuar me mbështetjen e OKB-së, por kërkuar edhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të parë se ku çalon sistemi dhe për të gjetur rrugën për t’i përmirësuar. Edhe aktiviteti i sotshëm që lidhej me trajnimin në Itali të punonjësve të parqeve, është bërë me qëllim që të njihen me sistemin atje, me problematikën që, besomëni, është e ngjashme me tonën për sa i përket financimit të plotë për problemet që ekzistojnë në këto parqe, problemeve me komunitetin, ndërtimeve me apo pa leje. Sa i përket studimit të ekspertit të njohur Sebastiano Tusa, ai ka bërë një analizë të gjendjes faktike të parqeve tona, por qysh në faqen e parë të tij theksohet se për çdo mendim të dhënë në të, përgjegjësia është e autorit, dhe jo e ndonjë institucioni tjetër.
Po atëherë si do t’ju vijë në ndihmë ky studim?
Ne do të marrim në shqyrtim, bashkë me kolegët e parqeve, një për një të gjitha sugjerimet e dhëna prej tij. Në një pikë të raportit thuhet se, që të bëhet një promovim sa më i mirë i një parku, nevojiten rreth 200 mijë euro për veprimtari kulturore në të. Ne e kuptojmë që në këtë rast bëhet fjalë për një sugjerim dhe nuk kemi të bëjmë me një kritikë për mungesën e 200 mijë eurove, sepse të hedhësh këtë fond vetëm për një park, është e pamundur në një vit nga buxheti i shtetit, por aty sugjerohen edhe mënyrat e marrjes së donacioneve apo sponsorizimeve ose të bashkëpunimeve me institucione jashtë vendit, në kuadrin e projekteve të përbashkëta, për të mundësuar, në rastin konkret, veprimtaritë kulturore në një park. Por aty ka edhe elemente që lidhen me punën e përditshme të parqeve, të cilat mund të përmirësohen me anë të këtij studimi.
Në raport disa nga problemet ishin konservimi i objekteve apo mbeturinave…
Eksperti italian nuk ka thënë asgjë të panjohur nga ana e institucioneve shqiptare. Ai ka bashkëpunuar me ekspertët tanë për të arritur në këto konkluzione, pra është një realitet i pranuar, kur vetëm në anën tjetër të Adriatikut, në Pompei, hidhen rreth 32 milionë euro në vit dhe ka dëmtime të vazhdueshme të monumenteve brenda këtij qyteti, që është pasuri botërore e UNESCO-s. Me këtë dua të them që dëmtimi i një trashëgimie që vjen nga shekujt, është i paevitueshëm, pavarësisht dedikimit të stafeve dinamike që parashikohen në këtë studim apo të financimeve ngado që ato vijnë. Pra, do të ketë gjithnjë një luftë kundër kohës që ne të gjithë duhet ta bëjmë bashkë për të ruajtur këtë trashëgimi kulturore.
Përmendën shuma të mëdha që hidhen në vendin fqinjë, sa problematike është tek ne sigurimi i financimeve në fushën e trashëgimisë?
Unë e kam thënë që financimet në fushën e trashëgimisë, pavarësisht vullnetit të drejtuesve të këtyre institucioneve, mbeten të pamjaftueshme për të shpëtuar shumë monumente, të cilat për shkak të vjetërsisë së tyre, për shkak të problemeve strukturore që kanë, apo edhe të problemeve të tjera që kanë të bëjnë me fenomene të sotshme, të motit apo të ndërhyrjeve njerëzore, rrezikojnë të zhduken apo të dëmtohen në vijimësi. Përveç buxhetit të shtetit, synimi ynë kanë qenë gjithnjë projektet e ndryshme, si në rastin konkret me Kombet e Bashkuara, për përgatitjen e studimeve, deri në realizimin konkret të disa ndërhyrjeve në objekte apo monumente kulturore, siç është rasti i muzeut të Apolonisë, që është në rikonstruksion për t’u hapur për publikun.

Përfitimi nga biletat e shitura

Momentalisht, nuk ka asnjë taksë që të shkojë direkt për menaxhimin e parqeve arkeologjike apo trashëgimisë kulturore në përgjithësi. Ky ishte konkluzioni që doli gjatë leximit të raporteve mbi këtë çështje apo takimet me personat përgjegjës në disa degë të administratës publike. Të ardhurat financiare që mbledh parku i kalojnë MTKRS-së nëpërmjet Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore. Gjithë të ardhurat që mblidhen nga shitja e biletave apo aktiviteteve të tjera të parkut mblidhen nga shteti dhe vetëm 10% i kthehet mbrapsht parkut respektiv. Sipas eksperiencës së deritanishme, ky 10% i kthehet mbrapsht administratës së parkut nga MTKRS brenda një periudhe kohe nga 8-10 muaj. Është e qartë se nëse kjo shumë, si dhe fonde të tjera që vijnë nga burime të tjera do t’i venë parkut arkeologjik në fund të vitit, atëherë bëhet i vështirë shpenzimi i tyre me qetësi e maturi, duke pasur parasysh se të gjitha shpenzimet duhet të përfundojnë brenda datës 20 dhjetor. Kjo vonesë ndikon negativisht në aktivitetin normal të parqeve, i cili nuk bën dot planifikimin e duhur për shpenzimet.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment