Odiseja e zgjedhjeve në Tiranë: PS kërkon pavlefshmëri, KQZ shqyrton ankesën.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë sot ankesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të vendimit të shpalljes së Lulzim Bashës fitues i garës në Tiranë dhe pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi të kryeqytetit.

Partia Socialiste ankimoi dje pranë KQZ-së vendimin nr. 1158 të 25 qershorit kur me tabulimin e votave të numëruara pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe pas miratimit të tabelës përmbledhëse të Tiranës, KQZ shpalli fitues të garës për kryetar bashkie në Tiranë, kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha me 93 vota më shumë se rivali i i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama.

Kërkesa ankimore e socialistëve ka si objekt të parë shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së, që shpalli fitues me 93 vota, kandidatin e mazhorancës Lulzim Basha, dhe objekt të dytë shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet dhe ripërsëritjen e tyre në këto qv.

Socialistët argumentojnë se gjatë procesit zgjedhor për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës është shkelur ligji, është cënuar integriteti i procesit zgjedhor dhe i kutive duke ndikuar në përcaktimin e kandidatit fitues, si dhe ka mospërputhje të shifrave të votuesve me votat e numëruara.

Gjithashtu Partia Socialiste renditi në ankesën e paraqitur parregullsitë që lidhen me kutitë e dëmtuara, mungesa e numrit të duhur të fletëve të votimit, si dhe me gjetjen e fletëve të votimit më shumë se numri i zgjedhësve në disa qendra të tjera.

Mbledhja e sotme e KQZ-së është lajmëruar për në orën 10.00.

Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rrëzojë ankesën e PS-së, që duket se është rasti më i mundshëm atëherë ashtu siç ka paralajmëruar PS do të ndjekë rrugën ligjore drejt Kolegjit Zgjedhor për të kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë dhe ripërsëritjen e votimit.

Mandej, në rast se edhe Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e paralajmëruar nga Partia Socialiste duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së që shpalli fitues Lulzim Bashën me 93 vota ndaj rivalit të tij Edi Rama, atëherë përmbyllet këtu odiseja për bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiaku i kryeqytetit Lulzim Basha mandatohet në detyrën e re.

Por, është i mundshëm edhe një skenar, se nëse Kolegji pranon ankesën e pritshme të PS-së dhe shpall pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë, bazuar në pretendimin e socialistëve për mospërputhje shifrash dhe cënim të integritetit të kutive, atëherë odiseja e zgjedhjes së kryebashkiakut të Tiranës do të vijojë më tej duke e shndërruar Tiranën gjatë kësaj vere në një fushëbetejë politike mes dy partive kryesore në vend.(noa.al)





No comments:

Post a Comment