Netët e nxehta të mbretit të Suedisë

Zbulimet për stilin e jetës të mbretit Karl Gustav të Suedisë vazhdojnë të dalin çdo ditë e më shumë. Gazetat suedeze bëjnë të ditur detaje të reja: mbreti, në këto vitet e fundit, shkonte në disa qendra klandestine kumari në Stokholm për të luajtur bixhoz.

Në një rast pati një kontroll nga policia, por pasi u konstatua prania Madhërisë së tij, policët u tërhoqën pa bërë asnjë denoncim dhe arrestim.

Telashet e mbretit filluan në nëntor 2010, kur në libraritë suedeze, u shfaq një biografi e paautorizuar e sovranit: Carl XVI Gustav – Den motvillige monarken (Karl Gustavi, mbreti ngurrues).

Libri i shkruar nga tre gazetarë ishte një bombë e vërtetë. Nëpërmjet kërkimeve të zgjatura dy vjet, autorët zbulojnë se Karl Gustavi menjëherë pasi kishte njohur, në 1972, mbretëreshën aktuale Silvia filloi të organizonte “festa të egra”.

Këto festa më drita të kuqe, që kanë zgjatur për të paktën dy dhjetëvjeçarë, kishin si protagonistë mbretin, një grup të ngushtë miqsh të tij dhe dhjetra modele të reja dhe aktore që nuk kalonin 20-21 vjeç.

Ndërkohë mbretëresha, përballë tradhëtive të bashkëshortit, ka marrë një masë paraprake: pak ditë më parë është prezantuar në një ceremoni publike pa unazën e martesës. Gazetat suedeze theksojnë se tregimet mbi Karlin nuk kanë mbaruar.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment