Në Serbi me pasaporta të Republikës së Kosovës?!

Shefi i delegacionit serb për bisedime, Borislav Stefanovic ka thënë të premten në një intervistë për radio Dukagjinin se nuk janë frikësuar nga arritja e marrëveshjeve, mirëpo sipas tij takimi i radhës është lënë për në qershor pa precizuar ndonjë datë, dhe si rrjedhojë takimi do të mbahet në këtë muaj.

“Çdo gjë që është duke ndodh bëhet me qëllim që të përgatitemi më mirë dhe të kemi rezultate më të mira në marrëveshjet që do t’i arrijmë. E dini që nuk ka të bëjë asgjë me nënshkrimin. Sepse do të kemi marrëveshje që do të implementohen nga të dyja Qeveritë, por, që nuk do të ketë dokument me nënshkrim”, tha ai.

Në pyetjen se a do t’i dorëzojnë Prishtinës dokumentet origjinale të regjistrave civil dhe kadastral, apo vetëm kopjet, ai ka thënë se kjo është njëra nga temat që janë duke i zgjidhur.

“Kemi pasur një mori takimesh të ndërsjella diplomatike për të zgjidhur të gjitha çështjet me shpresën më të madhe që së shpejti do të arrijmë marrëveshje, por nuk dua të bëjë asnjë koment për çështjet konkrete, sepse do të jetë dëmtuese për të dyja palët që të fillojmë të deklarojmë për media atë se çfarë do të arrijmë të zgjidhim. Jam i sigurt se rezultatet lidhur me çështjen e regjistrave civil apo kadastral do t’i ndihmojnë qytetarët e Kosovës...”, tha ai.

“Unë dhe Edita Tahiri e cila është shumë konstruktive, mund të ju siguroj se jemi shumë afër që të dalim me një konkluzion lidhur me këto çështje”, u shpreh më tej Stefanovic.

Duke folur rreth marrëveshjeve, shefi i delegacionit serb për bisedime tha se do të jenë shumë gjëra të mira nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, dhe përfundimisht njerëzit do të mund të udhëtojnë lirshëm dhe do të mund të shfrytëzojnë të drejtat e tyre, dokumentet pa paragjykime lidhur me statusin e Kosovës.

“Kjo besoj që do të ndikojë në marrëdhëniet tona për të ndërtuar më shumë besim dhe fleksibilitet, sepse siç e dini jemi përballur me çështje mjaft të vështira”, theksoi Stefanovic.

Ndërkaq, në pyetjen se a do të mund qytetarët të udhëtojnë në Serbi me pasaportë të Republikës së Kosovës, Stefanovic duke qeshur tha “....edhe pse nuk më pëlqen hiq por mund të ju siguroj se do të ketë mënyra që do të mund të vini në çdo kohë pa kurrfarë problemi dhe më besoni që do të jeni të kënaqur nga marrëveshja që do ta arrijmë për këtë temë”.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment