Ndotja, zonat e rrezikshme në Durrës e Vlorë

Në Durrës por edhe në Vlorë janë evidentuar nga insitucionet e mjedisit disa pika ku ndotja e ujërave të bregdetit nga ujërat e zeza është e lartë.


Në Durrës, zonat me kritike janë pranë Shkëmbit të Kavajës dhe pranë kavaleshencës, ndërsa në Vlorë edhe zona pranë plazhit të vjetër.

Kryeinspektori i mjedist, Alfred Deshati tregon se uji i bregdetit në Durrës nuk do të arrijë standartet e kërkuara derisa Ministria e Transporteve të përfundojë projektin e financuar nga Bashkimi Europian, për shtrimin e kolektorit dhe gjithë sistemit të kanalizimit në gjithë Qarkun e Durrësit. Ky projekt duhet të kishte përfunduar në maj të këtij viti.

“Edhe sivjet ne nuk mundemi që të veprojmë që shkarkimin e ujërave të zeza ta kemi nëpërmjet atij investimi të jashtëzakonshëm që financohet nga Bashkimi Europian, pasi ka qenë një projekt që duhet të përfundonte në fillim të majit, por ne ndodhemi përballë një shtyrje të afatit të përfundimit të këtyre punimeve dhe mendoj që vitin që vjen kjo zonë nuk do të ketë më probleme me shkarkimin e ujërave të zeza. Projekti ndiqet nga Ministra e Transportit dhe e Punëve Publike. Nuk mund të flas konkretisht por di që është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe ne kemi qenë të përgatitur që në fillim të majit këtë rrjet të kanalizimeve dhe kolektorëve do ta kishim gati”, thotë inspektori, Alfred Deshati.

Edhe pas aksionit të ndërmarrë gjatë vitit të shkuar, për shkatërrimin e tubacioneve që shkarkonin ujërat e zeza në det, situata këtë vit paraqitet e njëjtë.

Shumë subjekte edhe këtë vit, vijojnë t’i derdhin ujërat e zeza direkt në det, duke shkaktuar ndotje dhe erë të rëndë në zonë dhe mundësi të larta infeksioni për pushuesit.

“Aksioni për ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme do të vazhdojë. Ne zotërojmë të gjithë informacionin e nevojshëm, kemi kontaktuar me biznesmenët e zonës dhe kemi një dakortësi për të gjitha problemet që kemi trajtuar dhe mendoj që edhe subjektet duhet të na kuptojnë që sivjet duhet medoemos të përforcojnë punën e tyre për pastrimin sa më shpesh të gropave septike, pavarësisht se janë edhe jashtë parametrave të duhura”, thotë më tej zoti Deshati.

Shumica e hoteleve dhe restoranteve në Durrës i derdhin ujërat e zeza në ujin e plazheve ose kanë ndërtuar gropa septike të cilat sipas ekspertëve janë jashtë standarteve për të siguruar mbrojtjen e ujit nga ndotja.

Specialistët kanë raportuar se në disa zona të bregdetit të Durrësit ndotja e ujit është disa herë më e lartë se normat, cka bën që pushuesit të tregojnë shumë kujdes për higjenën e tyre personale.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment