Ndërtimet pa leje, hiqet dënimi me burg

Të gjithë ata që kanë ndërtuar apo do të ndërtojnë pa leje, nuk do të dënohen më me burg. Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë si antikushtetuese, ndryshimet e miratuara nga maxhoranca në vitin 2007, në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, ku sanksionoheshin masat penale për ata që ndërtonin pa leje.
Neni 15/a, i shfuqizuara nga Kushtetuesja si në shkelje të ligjit themeltar të shtetit, parashikonte se “kryerja e punimeve të ndërtimit pa leje ndërtimi me pasojë krijimin e sipërfaqeve ndërtimore, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet. Kryerje e punimeve të ndërtimit me pasojë shtesa në sipërfaqe ndërtimore tej lejes së ndërtimit, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet”. Në vendimin e saj, GJK argumenton se, ndryshimet në fjalë janë miratuar me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend, ndërkohë që duhej me shumicë të cilësuar, rrjedhimisht konsensusin e opozitës. “Kuvendi nuk mund të miratojë një ligj të ri ose shtesa në një ligj të mëparshëm, të cilat kërkojnë ‘shumicë të cilësuar’, me ‘shumicë të thjeshtë’, sepse në këtë mënyrë ligjet që kërkojnë ‘shumicë të cilësuar’ mund ta humbasin rëndësinë e tyre”,- argumenton Kushtetuesja.
E perditshmja “Gazeta Shqiptare” boton sot pjesën më pikante të vendimit të GJK.

(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment