NATO: Gedafi të ikë nga Libia, sulmet nga ajri do të vazhdojnë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, tha se të gjithë ministrat në takim ranë dakord se në Libi po shënohet përparim. “Për Gadafin nuk shtrohet më çështja nëse ai do të ikë, por kur do të ikë,” tha zoti Rasmusen. Sipas VOA, sekretari i Përgjithshëm po i kërkon më shumë vendeve të NATO-s të kontribuojnë në përpjekjet ushtarake për të mbrojtur civilët në Libi. Komentet e tij në ditën e parë të takimit dyditor të NATO-s bëhen ndërkohë që aleanca goditi kryeqytetin e Libisë, Tripoli, bombardimet më të rënda deri tani. Helikopterët britanikë dhe francezë goditën për herë të parë brenda Libisë gjatë fundjavës, duke i intensifikuar në mënyrë të konsiderueshme operacionet e NATO-s. Shtimi i goditjeve ajrore ngre pyetjen nëse NATO-ja po i përmbahet apo jo rreptësisht mandatit të OKB-së për të mbrojtur civilët nga forcat e Gadafit. Ndërkohë, Gadafi deklaroi dje se do të luftojë deri në vdekje. Javën e kaluar, NATO-ja e zgjati misionin e saj edhe për tre muaj të tjerë. Shtetet e Bashkuara i dorëzuan kontrollin e misionit NATO-s në fund të marsit, por vazhdojnë të ndihmojnë me informacione zbulimi edhe në aspekte të tjera. Sipas DW, gjermania do të vazhdoj të heshtë. Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë bëri të ditur edhe më tej se nuk do të marrë pjesë edhe më tej në sulmet ushtarake. Në Berlin thuhet se Gjermania në vend të kësaj do të marrë pjesë në të ardhmen në trajnimin e policisë dhe zhvillimin e infrastrukturës. Ndërkohë, BE ka ashpërsuar sanksionet kundër Libisë. Gjashtë porte të vendit, të cilat kontrollohen ende nga regjimi i Gadafit, janë bllokuar për tregtinë. Ndërhyrja ushtarake për mbrojtjen e popullsisë civile në vendin afrikano-verior para trupave të kreut të shtetit Muammar Gadafi, do të zgjasë për aq kohë sa është e nevojshme, thuhet në një deklaratë zyrtare të ministrave të mbrojtjes së 28 vendeve anëtare të Aleancës, pas konsultimeve të zhvilluara në Bruksel.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment