Nafta, nuk ka pakt për çmimin

Anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës nuk arritën një marrëveshje të re për kuotat e prodhimit në takimin e djeshëm në Vjenë. Çmimet e naftës u rritën në bursat e Nju-Jorkut dhe të Londrës pas njoftimit. Çmimi i naftës ishte ulur disi në pritshmërinë e një marrëveshjeje mes vendeve anëtare të OPEC-ut për të rritur prodhimin. Vendet e OPEC-ut nxjerrin rreth 40 për qind të naftës së botës dhe kuotat e organizatës zyrtarisht i kufizojnë anëtarët të prodhojnë pak më pak se 25 milionë fuçi në ditë. Disa vende anëtare të OPEC-ut kanë thënë se tregjet e energjisë ndërkombëtare janë të furnizuara mirë me naftë dhe fajësojnë spekulimet për çmimet e larta, sesa sasinë e naftës në treg. Anëtarë të tjerë të OPEC-ut kanë shprehur shqetësim se çmimet e larta të naftës mund të shkaktojnë një shkatërrim të kërkesës që mund të dëmtojë prodhuesit, nëse çmimet e larta i nxisin konsumatorët të kursejnë energji ose të kërkojnë burime të tjera.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment