Muzaka bën modestin: Nuk më bezdis stoli

 
Mesfushori Gjergji Muzaka tregohet modest kur pyetet nëse e ndien veten titullar në Kombëtare. Në konferencën e djeshme për shtyp, 26-vjeçari deklaroi ndër të tjera se nuk e bezdiste fakti që mund të qëndronte në stol. “Për ne si lojtarë, është e rëndësishme që t’i shërbejmë ekipit kombëtar me gjendjen më të mirë që kemi. Mendoj se nuk ka shumë rëndësi se kush luan nga fillimi apo në pjesën e dytë”,- deklaroi fillimisht Muzaka. I pyetur për përshtypjen që ka për kundërshtarin e radhës, mesfushori shtoi: “Përpara përballjes me ne, boshnjakët luajnë në Rumani, por nuk mund ta parashikosh dot nëse ky është një fakt favorizues apo jo. Sigurisht që është një ndeshje e vështirë, por nuk kemi çfarë të humbasim. Duhet të ruajmë atë përqendrim të ndeshjes me Bjellorusinë. Kombëtarja nuk luan javë pas jave dhe është e vështirë të ruash atë frymë dhe përqendrim që ke pasur”. Muzaka shënoi golin e barazimit në ndeshjen e parë eliminatore kundër Rumanisë. “Kryesore është që të marrim një rezultat pozitiv në Bosnjë, ndoshta një pikë”,- u shpreh ai. Në fund, ai sqaroi edhe kontratën me Skënderbeun. “Tek ekipi korçar kam shkuar si i huazuar dhe me drejtuesit arritëm një marrëveshje që unë të luaja edhe në Kupat e Europës. Kam edhe dy vite kontratë me Dinamon, ndaj nuk e di se çfarë do të bëj. Kam mësuar se situata nuk është e mirë te Dinamo, por gjithsesi unë do të bëj zgjedhjen e duhur për të ardhmen time”,- deklaroi mesfushori i Skënderbeut.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment