Ministria e Financave anulon projektin e Kryeministrit per taksat

Ministria e Financave deklaron publikisht se është tërhequr nga plani për të rritur tatimin mbi fitimin, nga 10 për qind, në 30 për qind, nivel ky që do të aplikohej në varësi të normës së realizuar nga biznesi.

Kërkesa e Kryeministrit, sipas Shqip për të aplikuar taksa të larta për kompanitë që realizonin fitime të konsiderueshme, kryesisht për bankat dhe operatorët celularë, vuri në lëvizje komunitetin e biznesit, i cili e kundërshtoi me forcë.

Është vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, që konfirmon tërheqjen e draftit për tatimin progresiv, duke e konsideruar si kapitull të mbyllur. Më herët, kreu i qeverisë, Berisha, u shpreh se projekti ishte në dorën e Financave dhe “fati” varej nga analizat e ekspertëve të ministrisë.

Por me sa duket, presioni i vazhdueshëm detyroi qeverinë të tërhiqej nga rritja e taksës.

Në fillim u duk si presion i Kryeministrit ndaj bizneseve në kohë fushate, por më pas, këmbëngulja e tij shqetësoi pa masë të gjithë komunitetin e sipërmarrjes private.

Drafti i propozuar nga ministria, rreth dy muaj më parë, synonte përcaktimin e tatimfitimit nga 10% që është aktualisht ta bëjë me shkallë progresive, bazuar në përqindjen e fitimeve të kompanive. Për kompanitë që kanë fitime deri në 20 për qind, taksa do të jetë 10 për qind, për fitime nga 20 deri në 30 për qind, tatimi do të jetë 20 për qind, kurse për shoqëri me rentabilitet mbi 30 për qind, taksa e tatimfitimit do të jetë 30 për qind.
Pas kësaj, Kryeministri deklaroi se një masë të tillë nuk e cenonte parimin e taksës së sheshtë, por ul tarifat në mbrojtje të qytetarëve, por bizneset jepnin argumente të tjera, që sipas tyre cenonin rëndë planin e investimit. Kundër “taksës marksiste” u shpreh edhe vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duke e cilësuar penguese për zhvillimin ekonomik të vendit dhe thithjen e investimeve të huaja.
Nga studimi i të dhënave rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti nga 30 në 70%, 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabiliteit nga 20 deri në 30%.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment